Virozat e stinës, 70-80 raste çdo ditë në infektiv

20/06/2010 08:15

Rritja e menjëhershme e temperaturave, por edhe problemet me stabilizimin me motin e nxehtë, kanë sjellë shtim të rasteve të prekura nga virozat e stinës.

Veç poliklinikave e qendrave shëndetësore, pacientët paraqiten edhe në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”, përkatësisht në shërbimin e infektivit.

Sipas qendrës, raportohen 70-80 raste brenda 24 orëve të cilët marrin kujdes shëndetësor, bëjnë konsulta apo qëndrojnë për një kohë të caktuar brenda shërbimit. Më pas largohen me recetën dhe duke zbatuar rekomandimet e mjekut, drejt shtëpisë.

Sipas mjekëve, pacientët kryesisht kanë probleme me temperaturën e lartë, me debolesën, shqetësime gastro-intestinale, por edhe dhembje kyçesh, dhembje koke, rënie të tensionit.

Për këtë shkak dhe si pasojë  e rritjes së menjëhershme të temperaturave, ndryshimit të trysnisë atmosferike dhe nën ndikimin e rrymave të nxehta që ka karakterizuar kohët e fundit vendin tonë, në spitale e qendra shëndetësore vërehen rritje të rasteve të të prekurve nga viroza e stinës.

Sakaq, dje sipas sinoptikanëve që kanë regjistrat e rritjes e uljes së temperaturave, dje dita e martë ka rezultuar të jetë më e nxehta deri tani, për këtë vit. Meteorologët parashikojnë ditë me mot edhe më të nxehtë në ditët dhe muajt në vijim.

Për fëmijët, prindërit e rinj në “detyrë”, pacientët kronikë, moshën e tretë, por edhe për personat me shëndet delikat mjekët rekomandojnë kujdes gjatë kësaj stine. Këshillohet mosdalja nga shtëpia pas orës 10:00 deri në 19:00-20:00. Rekomandohet qëndrimi në vende të freskëta, veshjet e lehta me materiale pambuku, konsumi i 1.5 litrave ujë, lëngjeve natyrale, frutave, si dhe evitimi i ushqimeve me shumë kalori, yndyrë e sheqer.

Top Channel