Shpenzimet për sigurime, 20 dollarë për frymë

20/06/2010 08:20

Çdo shqiptar paguan në vit 20 dollarë për sigurime të detyrueshme dhe vullnetare të automjetit, pronës dhe jetës.

Studimi i fundit i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare mbi shpërndarjen gjeografike të sigurimeve, del se gjatë vitit 2009, janë shpenzuar rreth 75 milionë dollarë për kontrata të ndryshme sigurimi, kurse për dëmet janë paguar 15 milionë dollarë.

Duke parë hartën e sigurimeve në të gjithë vendin, banorët e Tiranës kanë paguar mesatarisht nga 50 dollarë dhe pas tyre vijnë Gjirokastra me 30 dollarë e Durrësi me 20 dollarë për frymë. Veriu ka nivelin e sigurimit më të ulët, që shkon mesatarisht në 10 dollarë për frymë.

Sipas drejtuesve të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, në rang botëror Shqipëria vazhdon të jetë një ndër vendet që ka konsumin më të ulët vjetor për frymë të sigurimeve. Në vendet e rajonit vlera e sigurimit për frymë është rreth 100 dollarë, ndërsa në vendet perëndimore konsumi vjetor i sigurimeve për individ shkon deri në 2.5 mijë dollarë.

Të ardhurat nga sigurimi i jetës janë rritur ndjeshëm dhe kjo sidomos për kryeqytetin, pasi për të marrë një kredi në bankë më parë duhet të jesh i siguruar për jetën në kompanitë e sigurimit që ofrojnë këtë shërbim. Sipas të dhënave më të fundit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në produktet e jetës vihet re se Prefektura Tiranë zë rreth 80 për qind të tregut.

Peshën më të madhe prej rreth 73 për qind në të ardhurat e sigurimit të jetës e zë produkti “Jetë debitori”. Ky produkt i sigurimit është kërkesë e bankave të nivelit të dytë për ofrimin e kredive, individëve dhe personave juridikë. Referuar të dhënave, në prefekturat e mëdha, ku është përqendruar biznesi dhe bankat, pesha specifike e produkteve të jetës është më e larta.

Top Channel