Agim Bendo çensuron Prokurorine

20/06/2010 16:00

Peshorja, e cila ndodhet në ambjentet e brendshme të Këshillit të Lartë të Drejtësisë është simboli i drejtësisë që do të thotë se një gjykatës është i paanshëm dhe i drejtë vetëm atëhere kur peshon qëndrimet e të dyja palëve në proçes.

Por duke ju referuar vetëm qëndrimit të Ylli Pangos në shpalljen e vendimit të tij, gjykatësi Agim Bendo, jo vetëm që ka marrë si argumenta të vendimit të gjithë pretëndimet e njërës palë, pa u hequr as edhe një presje, ka keqinterpretuar në mënyrë të njëanshme edhe vendimin e pushimit të hetimeve ndaj Ylli Pangos nga Prokuroria e Tiranës.

Pas publikimit të pamjeve filmike, ku ish-ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango shfaqej duke abuzuar me detyrën, prokuroria arsyetonte se filmimet audio e vizive nuk mund të konsideroheshin provë e mirëfillte ligjore pasi ato ishin kryer pa autorizimin e autoriteteve shtetërore, prandaj dhe vetëm prandaj ato nuk janë konsideruar provë proçeduriale për hapjen e çështjes penale ndaj ish-ministrit.

Por kjo nuk do të thotë se ish-ministri nuk ka abuzuar me detyrën, por vetëm se prokuroria nuk mund të nisë hetime me prova që janë marrë nga një investigim gazetaresk.

Gjithësesi, gjyqtari Agim Bendo ka marrë për justifikim të vendimit të tij vetëm pjesët që ai preferonte të lexonte nga ky vendim i prokurorisë.

Gjatë shpalljes së vendimit gjyqtari, Agim Bendo harroi ta lexojë më tej shkresën e prokurorisë e cila, sikurse nuk nis hetimin ndaj zotit Pango, nuk akuzon as gazetarët të kenë shkelur ndonjë nen të legjislacionit në fuqi. Meqë gjyqtari Agim Bendo harroi ta lexojë të plotë vendimin e prokurorise, gjysma tjetër që ai i fshehu proçesit dhe publikut vijon si më poshtë:

Situata e regjistruar duket qartë se është një situatë jo në kushte normale, por një situatë gazetareske, ku një emision i një televizioni nën pretendimin në funksion të transparancës për publikun ka bërë të mundur të regjistrojë me gazetarët e vet bisedat e ish-ministrit. Kështu nuk mund të shërbejë kurrsesi si provë për të ngritur një akuzë konkrete, në raport me veprimet e gazetares A.B.

Gjatë leximit të pjesshëm të vendimit të prokurorise. gjyqtari Bendo nuk mori parasysh se vetë prokuroria e cilëson në vendim filmimet si një investigim gazetaresk në shërbim të transparencës për publikun dhe në asnjë rast nuk përmend shkeljen e privacisë së individit të thjeshtë.

Një vendim gjykate nuk intepretohet juridikisht, por duke u nisur nga fakti se gjyqtari Agim Bendo nuk argumentoi, por interpretoi në mënyrë të njëanshme një vendim të prokurorise, ne si media jemi të detyruar ta japim atë të plotë që gjithsecili të ketë njohuritë dhe faktet për të gjykuar vetë, vendimin e Agim Bendos.

Top Channel