Tiranë-Podgoricë, nënshkruhet memorandumi i mirëkuptimit

19/06/2010 08:00

Ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Fatmir Mediu, zhvilloi një vizitë  zyrtare në Malin e Zi.

Gjatë kësaj vizite, ministri Mediu dhe delegacioni që e shoqëronte patën një takim bilateral me homologun e tij malazez Branimir Gvozdenoviç, ku spikati dëshira e mirë e të dyja vendeve për të bashkëpunuar edhe më thellësisht në mbrojtjen e mjedisit, kryesisht të zonave të përbashkëta, si dhe në hartimin e politikave e strategjive në të ardhmen, të cilat do të ndihmojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të mjedisit.

Në këtë kontekst, ministri Mediu dhe ai malazez shkëmbyen mendime për sa u përket projekteve të ardhshme, si ndërtimi i hidrocentralit të Ashtës, ndërtimin e hidrocentralit të Moraçës, apo edhe parkun rajonal të alpeve që shtrihet mes Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kosovës.

Të dy ministrat firmosën edhe marrëveshjen e mirëkuptimit mes dy vendeve për mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm për ekosistemin e Liqenit të Shkodrës dhe lumit Buna në prani të dy presidentëve, atij shqiptar dhe malazez.

Sipas Mediut, ky memorandum nuk është thjesht një akt, por një obligim që duhet zbatuar me rigorozitet dhe përgjegjshmëri të lartë nga të dyja vendet fqinje. Ai siguroi se të gjitha projektet dhe politikat që ndjek Ministria e Mjedisit shqiptare, për një zhvillim të qëndrueshëm të mjedisit, kanë në qendër të tyre plane integruese dhe implementim efikas në mjedis.

Top Channel