Të vegjlit: Zgjedhje të reja

19/06/2010 19:10

Partitë e vogla të opozitës kanë nisur të artikulojnë një qendrim të ri politik, që synon zgjedhjet e parakohshme përmes një qeverie teknike dhe ndryshimit të Kodit Zgjedhor.

Pas kryetarit të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule edhe një nga eksponentët kryesorë të opozitës, Spartak Ngjela kërkon dorëheqjen e kryeministrit Berisha dhe ngritjen e një qeverie teknike.

“Ky nuk e zgjidh dot krizën sepse e ka krijuar vetë. Ditë për ditë provoi se ka manipuluar zgjedhjet dhe s’ka çfarë të zgjidhë. Por çështja do agravohet dhe njerëzit pasi të ndërgjegjësohen më sanksionet që do të ndodhin në raport me perëndimin do ta rrëzojnë vetë. E mira është që të tërhiqet. Një qeveri teknike që të nxjerrë vendin nga kriza dhe ta çojë në zgjedhje të parakohshme për të bërë më pas zgjedhje model në Shqipëri”, është shprehur Ngjela.

Zoti Ngjela nuk ka lënë pa komentuar edhe deklaratën e kryeministrit Berisha në seancën e fundit të kuvendit ku ai duke ju drejtuar opozitës theksoi se me shumë gjasa do të qëndrojë edhe 30 vjet në krye të qeverisë.

“Musolini tha 40 vjet përpara se ta arrestonte mbreti. Ky është afer Musolinit psepse Hitleri ishte me irracional. Ai 6 ditë përpara së të vetëvritej tha se do jetojë gjatë dhe kjo perëndori do vazhdojë 1 mijë vjet. Këto janë thënie të dëshpëruarish”, theksoi Ngjela.

Më parë, edhe kreu socialdemokrat Gjinushi ka propozuar krijimin e një qeverie teknike që përgatit zgjedhjet e parakohshme si e vetmja mundësi për t’i dhënë drejtim kësaj krize.

Top Channel