Shëndeti Publik: Jo ujit të depozitave

19/06/2010 08:55

Depozitat e ujit janë bërë problem për sëmundshmërinë, sidomos në Fier. Alarmi ka ardhur pas regjistrimit të disa rasteve me virozë të shkaktuara nga uji i ndotur.

Në këto ditë të nxehta vere është rritur numri i personave të prekur nga virozat e stinës. Një nga faktorët, sipas autoriteteve të shëndetësisë, është edhe cilësia e ujit të pijshëm.

Përballë disa rasteve të regjistruara gjatë kësaj jave, me virozë të shkaktuar si pasojë e ujit, autoritetet më të larta të shëndetit publik në Fier apelojnë për mospërdorimin e ujit të depozitave të shtëpive.

Sipas nëndrejtoreshës së  Shëndetit Publik në Fier, Shpëtime Kalemi, rreziku që  i kanoset popullatës nga konsumi i ujit të depozitave është  tejet i lartë.

“Depozitat, edhe pse furnizohen me ujë çdo ditë, përmbajnë baktere dhe lëndë të rrezikshme. Jo gjithmonë depozitat e zbrazin të gjithë ujin që marrin. Në fund të tij tepron uji, i cili grumbullohet vetë dhe së bashku me prurjet e tjera mbledh mbeturina. Ka pasur raste që ka prurë e grumbulluar edhe ndryshk”, ka sqaruar nëndrejtoresha e Shëndetit Publik, Kalemi.

Top Channel