Gjermania nuk do “tkurrë” ndihmën për Shqipërinë

18/06/2010 19:55

Gjermania po miraton një paketë të madhe kursimesh, por këto nuk do të prekin ndihmën ndaj Shqipërisë.

Kjo iu bë e ditur ministrit të Punëve të Jashtme, Ilir Meta gjatë takimit me sekretaren e Shtetit për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim të Gjermanisë.

“Shkurtime do të ketë, por jo në bashkëpunimin me Shqipërinë. Ne si vend i pasur industrial, e kemi për detyrë të ndihmojmë vendet e tjera. Kështu për shembull me Shqipërinë ne kemi një bashkëpunim të qëndrueshëm prej tashmë dy dekadash dhe në vitet e ardhshme 2010 deri në 2012 kemi rënë dakord për një shumë prej 72,2 milionë euro për bashkëpunimin në fushën e zhvillimit”, thekspoi sekretarja e Shtetit, Gudrun Kopp.

Nga ana tjetër Meta shtoi: “Unë besoj se bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Gjermanisë në planin ekonomik, social dhe teknik do të kalojë në një fazë akoma më të lartë dhe në veçanti besoj se kjo do të jetë inkurajuese dhe për investitorët gjermanë për të zgjedhur Shqipërinë për investimet e tyre”.

Por zonja Kopp pohoi se në takim është folur edhe për rrugët e mëtejshme për të luftuar korrupsionin. Qeveria Gjermane, sipas sekretares Kopp, po e vëzhgon më tej këtë proces. Gjatë qëndrimit në Berlin, ministri Meta u takua edhe me një grup deputetësh gjermanë të kryesuar nga Peter Weiss, Kryetar i Grupit Parlamentar për Evropën Juglindore dhe mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes Ndërqeveritare për Transportin Detar.

Top Channel