Gati përfaqësimi nga Italia dhe Turqia

18/06/2010 08:15

Përfaqësimi përmes palëve të treta i Shqipërisë në ato vende ku Tirana zyrtare nuk ka seli diplomatike, duket se do të kërkojë një personel shtesë, apo edhe një rishpërndarje të burimeve ekzistuese njerëzore.

Edhe pse Protokolli i Bashkëpunimit mes Italisë dhe Shqipërisë, i bërë publik më 12 prill gjatë takimit mes ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, dhe homologut të tij, Franco Frattini, ende nuk është firmosur, ai gjithsesi përcakton “angazhime” shtesë të diplomacisë shqiptare.

Në fakt bëhet fjalë për mbulimin reciprok diplomatik, i cili në rastin e vendit tonë duket se do të funksionojë në partneritet me fqinjin perëndimor, teksa teorikisht të njëjtën gjë do të realizojë edhe diplomacia shqiptare në ato raste kur do të shihet e nevojshme nga Roma.

“Nuk ka asgjë konkrete, sepse marrëveshja është ende në formën e një drafti që pret të firmoset”, tha për “Shqip” zv.ministrja e Jashtme, Edit Harxhi.

Teknikisht marrëveshja krijon mundësi të përfaqësimit në një numër shumëfish vendesh, që gjithsesi do të realizohet me praninë e një zyrtari shqiptar.

Ndërkohë, me rëndësi është fakti se për Tiranën zyrtare ky akord me Romën zyrtare nuk përbën një precedent. Kjo pasi në dhjetor të vitit 2008, Ministria e Jashtme i ka bërë një shtesë marrëveshjes së vitit 1998 mes Shqipërisë dhe Turqisë, ku parashikohet thuajse e njëjta gjë si në rastin me Italinë.

Top Channel