Euro “fluturon’ jashtë

18/06/2010 15:35

Kompanitë e huaja që kanë investuar në Shqipëri transferuan jashtë në formën e fitimeve 79 milionë euro për tre muajt e parë të vitit.

Të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se shifra e fitimeve që po transferohen jashtë nga kompanitë e huaja që kanë investuar në Shqipëri po rritet nga viti në vit.

Krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar ajo është rritur me 20 për qind. Vitin e kaluar në total, kompanitë e huaja transferuan nga shqipëria 364 milionë euro, ose 6 herë më shumë krahasuar me vitin 2007. Paratë që nxorrën kompanitë e huaja jashtë Shqipërisë në vitin 2009 janë sa gjysma e dërgesave që vijnë nga emigrantët.

Të dhënat tregojnë se edhe kompanitë shqiptare  për të njëjtën periudhë të ardhurat nga investimet e kompanive shqiptare jashtë ishin 106 milionë euro. Ekspertët thonë se tashmë shumë investime të huaja që janë kryer gjatë viteve të kaluara, kanë filluar të maturohen duke gjeneruar fitime, të cilat kompanitë i transferojnë në vendet e tyre të origjinës.

Ndaj edhe tendenca e këtij zëri pritet të jetë në përkeqësim, duke parlajmëruar se më shumë valutë do të dalë nga ekonomia shqiptare në vitet e ardhshme në formën e fitimeve të transferuara jashtë, cka gjithmonë është shoqëruar me lëvizje të kursit të këmbimit.

Top Channel