Sarandë, vapa, fluks vizitash në pediatri

17/06/2010 08:55

Rritjet e temperaturave shtojnë rastet e virozave te fëmijët. Në një kohë kur termometri ka shënuar 38 gradë Celsius, nuk kanë vonuar shqetësimet te moshat e vogla.

Ditët e fundit, në repartin e pediatrisë në spitalin “Petro Nako”, ka pasur një fluks të shtuar fëmijësh që ankohen për shenja që lidhen me virozat e stinës.

Shefi i pavijonit të pediatrisë, Minella Nini, tha se në shumicën e rasteve fëmijët paraqiten me shenja të tilla, si: temperaturë të lartë, debulesë të përgjithshme, dhimbje fyti etj.

Një pjesë e tyre trajtohen në kushte spitalore, duke marrë serum, ndërsa të tjerët u jepet mjekim dhe kthehen në shtëpi.

Ndërkohë pediatri Nini ka këshilluar prindërit për të përdorur sa më shumë lëngje te fëmijët, për të kompensuar humbjen e lëngjeve trupore dhe t’u bëjnë disa herë banja, t’i mbajnë larg ekspozimit në diell, sidomos në orët e pikut.

Ndërkohë mjekët tërheqin vëmendjen edhe për grupmoshën e të moshuarve, të cilët “kërcënohen” seriozisht nga temperaturat e larta të këtyre ditëve.

Në këto kushte, në qendrën ditore polivalente të Sarandës, ka ndryshuar orari i veprimeve.

Çdo ditë trajtohen 48 të moshuar dhe kujdesi i stafit për ta përballuar pa probleme shëndetësore këtë periudhë është i veçantë.

Në përshtatje me kushtet e reja atmosferike, këto ditë ka ndodhur një ndryshim i orareve të veprimit, si: shëtitja e mëngjesit, servirja e vaktit të drekës etj., të cilat bëhen një orë më herët se zakonisht.

Po kështu drejtoresha e kësaj qendre sociale, Antigoni Papa, thotë se janë bërë më të shpeshta edhe vizitat që bëjnë infermieret e atashuara në këtë institucion për mbajtjen në kontroll të parametrave të shëndetit, si: tensioni arterial, niveli i glukozës në gjak, rrahjet e zemrës.

Top Channel