Ruci: Shqipëria, në udhëkryq

17/06/2010 11:55

Kryetari i grupit kuvendor socialist Gramoz Ruci deklaroi se opozita do të jetë në parlament për të treguar përgjegjësinë e saj dhe një barrikadë për veprimet jo të drejta të mazhorancës.

Duke folur në seancën e sotme plenare, Ruci theksoi se deklarata e dy krerëve të grupeve parlamentare europiane ishte e qartë se për Shqipërinë ose të do të ketë viza dhe integrim ose do t’i vihet vizë të ardhmes së saj.

“Kjo deklaratë është këmbana që duhet të bjerë në veshët e politikës së Shqipërisë. Juve duhet t’i thoni shqiptarëve se përfaqësuesi juaj i ka thënë ‘stop’ marrëveshjes që do te sillte zgjidhjen e krizës. Shqipëria sot është në udhëkryq dhe ju duhet t’i përgjigjeni duke u bërë aktor dhe faktor për transparencën e zgjedhjeve”, u shpreh Ruci.

Ndërkohë kryeministri Berisha theksoi se ftesa e tij për bashkëpunim me opozitën mbetet e hapur, ndërsa kërkoi që të lexoheshin drejt dokumentat e ndërkombëtarëve.

Po ashtu Berisha theksoi se ngërci politik mund të zgjidhet kollaj, por theksoi se ndoshta ky qëndrim mund të ketë si qëllim mospjesëmarrjen e opozitës në zgjedhjet lokale.

“Ju ftojmë që të ulemi dhe të bëjmë reformën zgjedhore ashtu sikurse doni ju dhe ta votojmë sëbashku në parlament”, theksoi Berisha.

Top Channel