Qendra informacioni për pacientët në spital

17/06/2010 08:40

Drejtoria e qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza” ka përfunduar hartimin e planit rregullues të ambienteve të jashtme të këtij spitali.

Sipas këtij plani, ndërhyrja e parë do të jetë ajo e sistemimit të hapësirave për parkimet e vizitorëve, të personelit dhe vendqëndrimet e taksive. Parkimet për vizitoret do të jenë pranë hyrjeve kryesore në spital. Sipas drejtorit të përgjithshëm të QSUT, Ilir Dashi, parashikohen tri vendparkime me kapacitete të mëdha për pacientët dhe familjarët e tyre.

“Në këto parkime do të parashikohen edhe vende për parkimin e mjeteve të invalidëve, për vendosjen e motoçikletave dhe të biçikletave, si dhe për makinat e personelit mjekësor të QSUT”, tha Dashi. Sipas tij, edhe për këto parkime duhet të kihet kujdes në ruajtjen e gjelbërimit ekzistues. Më pas, vëmendje do t’i kushtohet edhe rritjes së cilësisë së rrethimit duke restauruar murin ekzistues, nëpërmjet mbylljeve të të gjitha çarjeve që ka. Në bazë të këtij plani, QSUT do të ketë tri porta hyrëse dhe në pikën e kalimit pranë çdo porte do të parashikohet hapësira e nevojshme për këmbësorët. Pranë çdo porte hyrëse do të jenë pikat e informacionit dhe tabelat orientuese në territorin e spitalit për të ndihmuar dhe orientuar pacientët.

Gjithashtu parashikohet një  skemë e re për sistemimin e mbledhjes se mbeturinave, ku krahas kazanëve të mëdhenj, shërbimi të ofrohet edhe me kazanë më të vegjël grumbullimi në të gjithë territorin. “Një pikë e rëndësishme e këtij plani është ndërhyrja në meremetimin e fasadave të objekteve spitalore, në evidentimin e nevojave për meremetim të suvatimit të jashtëm. Aktualisht, ne si drejtori disponojmë një projekt për lyerjen dhe meremetimin e këtyre fasadave”, sqaroi kreu i QSUT.

Gjatë kryerjes së këtyre punimeve, firmat private që do të kryejnë ndërtime apo meretime kanë të parashikuar në kontratë  edhe hapjen e puseve për marrjen e ujit, në mënyrë që  të mos shfrytëzohet uji i pijshëm që përdoret për pavijonet.  

Top Channel