Pagat e shtetit, në një bankë të vetme

17/06/2010 09:20

Ishte planifikuar që punonjësi i administratës publike do ta zgjidhte vetë bankën ku dëshironte ta merrte pagën.

Vendimi për këtë variant u mor tre muaj më parë, por qeveria dje ka ndryshuar mendje, duke ligjëruar monopolin e transferimit të pagave, pasi do të jetë një bankë e vetme për të gjithë 107 mijë buxhetorët.

Vendimi është cilësuar nga Kryeministri si transparent dhe që u koston, pasi banka që do të fitojë garën, duhet të ofrojë shërbimin më të mirë dhe me kosto sa më të ulët.

Aktualisht në treg janë 16 banka, të cilat kishin nisur fushatën për thithjen e klientëve, referuar vendimit të mëparshëm.
 
Propozimi për gjetjen e një banke të vetme ishte i ministrit të Financave, që synon mirëpërdorimin e fondeve publike, sigurimin e integritetit e të transparencës në procedurat e përzgjedhjes së bankave, për çeljen e llogarive bankare të institucioneve buxhetore dhe të shoqërive tregtare me kapital shtetëror, si dhe uljen e kostos së shërbimeve bankare për administrimin e likuiditeteve të punonjësve.

Përzgjedhja e bankës ose e degës së bankës së huaj për shërbimin e mbajtjes së llogarive që realizohet nga institucioni, do të jetë me konkurrim.

Për përzgjedhjen e bankës ose të degës së bankës së huaj, që do të kryejë shërbimin e mbajtjes së llogarive, titullari i institucionit krijon një komision i cili në përbërje do ketë një jurist prokurimesh dhe të paktën katër punonjës të tjerë, që nuk janë në përbërje të strukturës së shërbimeve mbështetëse të institucionit.

Për kualifikimin e bankës ose të degës së bankës së huaj duhet të mbahen parasysh kriteret: komision minimal deri në vlerën 0 për transaksionin e transferimit të pagesave të pagave të individëve, si dhe të pagesave të tjera të lidhura me punën, në bankat e kërkuara nga vetë ata; dhe për mirëmbajtje llogarie të pagave e të pagesave të tjera.

Top Channel