Më pak nxënës me rezultate të shkëlqyera

17/06/2010 09:15

Maturantët e vitit të kaluar morën më pak 10-a, por më shumë 9-a. Vitin e kaluar, Ministria e Arsimit raportoi se ishin vetëm 200 maturantë që ishin vlerësuar me notën 10, ndërkohë që këtë vit, shifra shprehet në përqindje.

Kjo do të thotë se rezultatet e shkëlqyera përgjatë vitit të kaluar ishin më të shumta se këtë vit, por niveli i nxënësve që janë vlerësuar me notën 9 dhe 10, në maturën 2010, për provimin e parë me detyrim është më i lartë.

Kjo në raport edhe me numrin e maturantëve që iu nënshtruan provimit të parë me detyrim, atij të letërsisë.

Vitin e kaluar kanë qenë pjesë e Maturës Shtetërore 31959 nxënës, ndërkohë që këtë vit numri ka qenë edhe më i lartë.

Dje, Ministria e Arsimit dhe e Shkencës ka afishuar rezultatet e provimit të letërsisë në të gjitha shkollat e vendit. Sipas të dhënave, këtë vit korrigjimet janë vonuar, për shkak të procedurës së dyfishtë apo të trefishtë të vlerësimit.

Rezultatet 2010

Paraditen e djeshme, Ministria e Arsimit ka njoftuar se ka përfunduar procesi i korrigjimit të provimit të parë me detyrim dhe se rezultatet e këtij procesi janë publikuar sipas rregullave, duke kaluar nga drejtoritë arsimore drejt shkollave.

Sipas Arsimit, në këtë provim morën pjesë 37271 nxënës. Korrigjimi i tezave u krye në 4 qendra kombëtare vlerësimi, përkatësisht në Tiranë, Elbasan, Fier dhe Shkodër.

MASH-i vlerëson se korrigjimi i dyfishtë, si element i ri i këtij procesi, ishte rigoroz. “Në analizë të rezultateve përfundimtare rezulton se 13.13% e maturantëve janë vlerësuar me notën 9 dhe 10, ndërsa numri i nxënësve që nuk u vlerësuan kalues është 1197 pra (3.21%). Të gjitha rezultatet maturantët kanë mundësi t’i gjejnë në uebsajtin zyrtar të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, në bazë të ID së tyre. Pas përfundimit të procesit të korrigjimit të testeve nga AVA, APRIAL ka nisur printimin e listave të notave të maturantëve dhe shpërndarja e tyre nëpër DAR/ZA-të, prej ku do të nisen për afishim në shkolla.

Nga ana tjetër, MASH-i siguron se edhe procesi i vlerësimit të provimit të matematikës dhe ai i lëndëve me zgjedhje do të bëhet me të njëjtat standarde.

Vlerësimet e mëparshme

Nëse në vitin 2008 në testimin ku morën pjesë 31959 nxënës u morën 535 nota 10, në 2009-n në 35 mijë nxënës të testuar, këtë notë e morën vetëm 470 nxënës.

Çudia që dallon rezultatet e matematikës nga ato të letërsisë për vitin e kaluar ishte se në provimin e dytë me detyrim, nxënësit kanë marrë më shumë 10-a se në provimin e parë. Në testimin e letërsisë dhe gjuhës shqipe u morën vetëm 200 nota 10, ndërsa në matematikë, me po të njëjtin numër nxënësish dhe me më shumë mbetës, janë marrë dyfishi i notave 10 të provimit të parë.

Mbetësit

Në analizë të  rezultateve përfundimtare rezulton se 13.13% e maturantëve janë vlerësuar me notën 9 dhe 10, ndërsa numri i nxënësve që nuk u vlerësuan kalues është 1197 pra (3.21%).

Top Channel