Dule: Qeveri teknike dhe zgjedhje të reja

17/06/2010 19:40

Për shkak të replikave të zgjatura në Parlament mes kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të grupit socialist Gramoz Ruci, kryetari i PBDNJ-së Vangjel Dule nuk mundi të shprehet në seancën e 60 minutave të diskutimeve të lira.

Këtë ai e bëri më pas, në një komunikim me mediat të organizuar në selinë e partisë. Duke shprehur shqetësim për mungesën kompromisit, zoti Dule propozoi dorëheqjen e qeverisë, një qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme.

“Përgjegjësi kryesor për jetën e komunitetit, për realizimin e ambicjeve strategjike të vendit është qeveria e zotit Berisha, e cila duhet të japë dorëheqjen. Menjëherë ajo duhet të nisë bisedimet për një qeveri teknike afatshkurtër për të realizuar përfitimin e heqjes së regjimit të vizave dhe marrjen e statusit të vendit kandidat. Në një kohë optimale, vendi duhet t’i drejtohet ballafaqimit të ri zgjedhor”, ka deklaruar Dule.

Zoti Dule bëhet kështu politikani i parë nga opozita që formulon hapur dhe në mënyrë eksplicite këto kërkesa, qe sipas tij do të ishin rrugëzgjidhja e krizës politike.

Top Channel