Shtohen ultimatumet për krizën

16/06/2010 19:45

Gjeni kompromis para se të shtypim butonin “stop” . Këtë këshillë ka dhënë zëvendëskryeministri i Luksemburgut, njëhkohësisht minister i Jashtëm dhe Emigracionit, Jean Asselborn kur u pyet nga TCH nëse vazhdimi i situatës politike në Shqipëri, edhe pas konkluzioneve të Këshillit të BE-së, ndikon në procesin e vizave.

“Shqipëria është një demokraci shumë e re dhe demokracia duhet mësuar. Ne e përmendëm se z. Berisha e z. Rama ishin në Parlamentin Europian, ku bënë mbledhje me shefat e familjeve të ndryshme politike dhe ne cmuam vërtet shumë përpjekjet e Parlamentit Europian për të zhbllokuar paksa situatën në Shqipëri. Unë vetë kam qenë 2-3 herë atje dhe kam biseduar me qeverinë dhe opozitën. Nuk jam profesor e as politolog, por për mua, në momente të tilla nevojitet shumë vetpërmbajtje, sepse a është në interes të vendit??? Këtu nuk jam shumë i sigurtë”, është shprehur Asselborn.

Asselborn ka theksuar se përgjegjësia kryesore për zgjidhjen e krizës qëndron tek dy palët politike në Shqipëri dhe ka shprehur bindjen se me kalimin e kohës qeveria dhe opozita do të gjejnë një zgjidhje.

“Unë nuk e di se kush ka të drejtë prej tyre, por di vetëm që është në interes të vendit që të gjëndet njëfarë disipline mbi debatin. Mund të ndodhë që të thonë se kjo kulturë nuk është përftuar ende mirë në Shqipëri dhe ekziston mundësia që të shtypim butonin “stop” derisa kjo të arrihet. Por mos u shqetësoni, koha do t’ju ndihmojë. Në Shqipëri, koha do të ndihmojë ata që duhet të marrin përgjegjësitë dhe mendoj se për gabimet, nëse janë bërë, do të nxirret mësimi për të ardhmen”, ka nënvizuar Asselborn.

Pas iniciativës së Doul dhe Schultz më 19 maj, shqetësimi për situatën politike në Shqipëri u përfshi për herë të parë edhe në konkluzionet e Këshillit të BE-së, në takimin e së hënës të ministrave të Jashtëm në Luksemburg.

Top Channel