Qeveria ul kufirin e TVSH-së

16/06/2010 20:10

Qeveria po përgatiti një ligj i cili e ul pragun e bizneseve që paguajnë TVSH nga 5 milionë lekë xhiro vjetore në tre milionë lekë.

Lajmi është konfirmuar nga burime zyrtare në Ministrinë e Financave, të cilat nuk kanë dhënë detaje mbi afatet se kur ligji do të hyjë në fuqi.

Aktualisht ka dy variante, njëri që ligji të hyjë në fuqi në fillim të vitit tjetër, ndërsa varianti i dytë nuk përjashton mundësinë që qeveria ta miratojë skemën e re në mesin e këtij viti, bashkë me ndryshimet në buxhet.

Kjo është hera e dytë në pak muaj, kur qeveria ndryshon kufirin e xhiros për bizneset që paguajnë tatim mbi vlerën e shtuar.

Në fillim të këtij viti, ky kufi u ul nga 8 milionë lekë në 5 milionë lekë, c’ka sipas të dhënave që u bënë publike në atë kohë nga Ministria e Financave, futi në skemë rreth 17 mijë biznese të vogla në TVSH.

Ndërsa me ligjin e ri, kufiri i xhiros shkon përfundimisht në tre milionë lekë, duke përfshirë kështu në skemën e tatimit mbi vlerën e shtuar shumicën dërrmuese të bizneseve të vogla.

Ulja e pragut të TVSH-së ndodh në një kohë kur financat publike janë qartësisht në vështirësi, për shkak të rritjes së borxhit dhe ecurisë së dobët në mbledhjen e të ardhurave.

Ekspertët thonë se efekti final i kësaj mase do të jetë një tjetër valë rritje të cmimeve në treg. Pasi bizneset e reja që do të paguajnë TVSH do e kalojnë barrën tek konsumatori përmes rritjes së cmimeve.

Top Channel