Punimet në shesh, tjetër devijim trafiku

16/06/2010 20:00

Drejtuesit e automjeteve do të kenë nesër një tjetër devijim përsa i përket qarkullimit të automjeteve.

Për shkak të punimeve që do të kryhen në një pjesë tjetër të sheshit “Skëndërbej” dhe pikërisht në hapësirën para hotel “Tirana”, të gjithë automjetet që vijnë nga “Rruga e Dibrës” do të orientohen në krahun e majtë në rrugën e sapondërtuar “Urani Pano”, pas Pallatit të Kulturës dhe në rrugën “Bardhok Biba”, sipas destinacioneve ku duan të shkojnë.

Orientimi i tyre, përvec sinjalistikës rrugore do të ndihmohet edhe nga policët bashkiakë, ashtu sikundër ka ndodhur edhe në segmente të tjera ku është devijuar trafiku deri më tani.

Për shkak të këtij devijimi nuk do të lejohen parkimet anësore të automjeteve në rrugen “Urani Pano” dhe “Bardhok Biba”, pasi pengojnë qarkullimin në dy korsi të makinave.

Në ditët në vijim, bashkia e Tiranës do të njoftojë lidhur me masat që do të ndërmerren pasi do të hapen segmente në të cilat ka përfunduar procesi i ndërtimit të infrastrukturës nëntokësore dhe do të mbyllen të tjera.

Top Channel