Italia heq dorë nga ekstradimi

16/06/2010 00:15

Ka marrë fund ankthi një vjeçar për një emigrant shqiptar që jeton në Angli i cili kërkohej për t’u  ekstraduar në Itali si autor i një krimi që nuk e kishte kryer.

Drejtësia italiane ka hequr dorë nga kërkesa e ekstradimit të Edmond Arapit të cilit i kishin vjedhur identitetin.

Në gjykatën e Apelit në Londër, përfaqësuesi shtetit italian në këtë proçes ka pranuar se ata kishin kërkuar ekstradimin e një personi të gabuar.

Edmond Arapi kërkohej për t’u ekstraduar në Itali për një vrajse ndodhur në vitin 2004, për të cilën ai ishte dënuar në mungesë me 16 vjet burg.

Emigranti shqiptar e çoi çështjen në gjykatën e apelit pasi kishte prova se ai në ditën që kishte ndodhur vrasja ishte në Angli duke punuar, dhe jo në qytetin e Xhenovës.

Përfaqësuesit e drejtësisë italiane në proçes i thanë gjykatës se ai është viktimë e një identiteti të vjedhur nga personi që ka kryer krimin.

“Kjo ishte një çështje që kalonte caqet e çdo normaliteti, të cilën do ta quaja shumë mizore në kurriz të klientit tim”, kështu ka deklaruar John Hardy, avokati i zotit Arapi.

Menjëherë pas përfundimit të këtij proçesi gjyqësor, Edmond Arapi tha se ishte i lumtur që kjo ëndërr e keqe mori fund.

Kjo çështje ekstradimi u pasqyrua masivisht nga të gjitha mediat britanike duke mbërritur deri në parlament.

Vetë kryeministri Devid Kamerun premtoi angazhimin personal në shikimin e fakteve të kësaj çështje e cila tashmë u mbyll për ta lejuar zotin Arapi të vazhdojë jetën i qetë sëbashku me familjen e tij.

Top Channel