Bruceloza, pesë pacientë në Tiranë

16/06/2010 08:00

Tre persona të prekur me brucelozë dhe dy të tjerë nga ethet hemorragjike ndodhen në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”, për trajtim të specializuar.

Lajmi është konfirmuar nga Drejtoria Spitalore në Tiranë. Dy prej këtyre pacientëve janë fëmijë, nën moshën 13 vjeç. Pacientët kanë ardhur nga veriu i vendit, nga Kukësi dhe Bulqiza. Sapo janë paraqitur në spital dhe janë këshilluar për t’u drejtuar në një qendër më të specializuar, pacientët janë transportuat menjëherë pranë spitalit të Tiranës.

Të pesë të prekurit nga kjo sëmundje janë trajtuar për dy ditë me radhë në shërbimin e Infektivit, në pavijonin e të rriturve, por dy rastet e fëmijëve aktualisht po marrin kujdes shëndetësor pranë pavijonit të Pediatrisë. Nga ana tjetër, mjekët infeksionistë dhe pediatrit e spitalit “Nënë Tereza” kanë raportuar se të pesta rastet ndodhen jashtë rrezikut për jetën, por vazhdojnë të jenë nën vëzhgimin e mjekëve.

Të dyja sëmundjet, si ethet hemorragjike, ashtu edhe bruceloza, përfshihen në kategorinë e sëmundjeve infektive. Sipas mjekëve, për shkak të transmetimit të infeksionit, virusit nga kafshët te njerëzit, prekja nga sëmundja është e menjëhershme dhe në rast se nuk merren masa për t’u trajtuar në mënyrë të specializuar në spital, pacientët mund të kenë komplikacione dhe probleme serioze për përkeqësimin e gjendjes shëndetësore, duke shkaktuar deri dhe në humbje të jetës.

Rastet e pacientëve të prekur nga këto dy sëmundje kanë ardhur nga rrethet, sidomos veriu i vendit. Sipas specialistëve të higjienës dhe mjekëve infeksionistë, numri më i lartë i të prekurve nga këto sëmundje është regjistruar kryesisht nga qytetet veriore të vendit.

Sëmundja e brucelozës është një nga sëmundjet që transmetohen shumë thjesht te njerëzit, por ajo kërkon shumë kohë për t’u kuruar. Njerëzit infektohen me rrugë të ndryshme, duke përdorur qumështin e papërpunuar, si dhe produktet e tij.

Ethet hemorragjike janë grup i sëmundjeve infektive akute të rënda, të shkaktuara nga viruset. Karakterizohen me dëmtim të sistemit vaskular, si dhe çrregullim të aftësisë rikuperuese të organizmit.

Për shkak të rritjes së temperaturave, papastërtive, viruseve në qarkullim, ushqimeve të pakontrolluara, bagëtisë, por edhe për shkak të mungesës së informacionit, shpesh herë banorët si në fshat, ashtu edhe në qytet, preken nga sëmundjet infektive.

Në këtë kohë, kur zyrtarisht ndodhemi në stinën e verës, kur temperaturat janë gjithmonë në rritje, mjekët, specialistët e shëndetit publik, ekspertët e sensibilizimit të popullatës në drejtoritë e higjienës, këshillojnë higjienë personale, higjienë në ambientet e shtëpisë, ushqim të pastër, të ruajtur në kushte frigoriferike, si dhe konsum të produkteve duke kontrolluar afatin e skadencës.

Drejtoria e Higjienës ka tërhequr vëmendjen e qytetarëve për të blerë produkte të kontrolluara në tregje dhe markete të kontrolluara dhe jo në tregje informale, edhe pse çmimi mund të jetë shumë më i lire.

Top Channel