Investimet, kthim mbrapa

15/06/2010 16:05

Qeveria është detyruar t’i shkurtoje investimet publike të parashikuara për këtë vit në nivelin më të ulët që nga viti 2006.

Burime  nga Ministria e Financave thanë për Top Channel se në javën e parë të korrikut do të paraqitet në kuvend, drafti i rishikuar i buxhetit të shtetit, i cili i ul shpenzimet buxhetore në total me 30.3 miliardë lekë, si pasojë e ecurisë së dobët në mbledhjen e të ardhurave.

Pjesa dërrmuese e shkurtimeve do të vijë nga investimet publike, kryesisht projekte të infrastrukturës, të cilat sipas Ministrisë së Financave kanë pak gjasa të realizohen. Me shkurtimin tashmë gati të zyrtarizuar, investimet publike bien në nivelin 67.4 miliardë lekë ose 25.5 për qind më pak se sa ato të vitit të kaluar.  Në vlerë investimet publike këtë vit pritet të jenë më të ulëta se sa ishin 3 vjet më parë, situatë që në Shqipëri ka ndodhur vetëm njëherë më parë, saktësisht në vitin 2006, ku investimet publike në vlerë kanë qenë më të ulëta se sa ato të 2004.

Por edhe pse po ul investimet, qeveria do të mbajë të paprekura shpenzimet sociale, që kanë të bëjnë kryesisht me pensionet dhe sigurimet shëndetësore, të etiketuara nga Banka Botërore si një nga arsyet kryesore për rritjen e borxhit publik.

Madje qeveria premton se do t’i rrisë më pagat dhe pensionet këtë vit duke parashikuar zyrtarisht në buxhet një fond prej 5.7 miliardë lekësh. Me këtë politikë, qeveria po përpiqet të mbajë në kontroll borxhin e rritur publik, duke ulur investimet, të vetmket shpenzime që prodhojnë punësim dhe mbështesin rritjen ekonomike. Por në të njëtën kohë vazhdon të rris pagat dhe pensionet, shpenzime të cilat ekonomistët I etiketojnë si joproduktive.

Top Channel