Dekretet e Topit, javën tjetër në komision

15/06/2010 08:40

Tre kandidatët për Gjykatën e Lartë do t’i ushtrohen javës tjetër seancave dëgjimore në Komisionin e Ligjeve.

Duke iu referuar kalendarit të punimeve të komisionit, në datën 21 qershor do të jetë seanca dëgjimore e anëtarit për Gjykatën e Lartë, Medi Bici, në datën 22 qershor do të jetë seanca dëgjimore e Sokol Çomos dhe në datën 23 qershor për Vexhi Muçmataj.

Kryetari i Komisionit të Ligjeve ka konfirmuar faktin se materialet shtesë për të dhënat e kandidatëve anëtarë për Gjykatën e Lartë nuk kanë mbërritur ende në Kryesinë e Kuvendit.

“Kemi caktuar tri ditë për seancat dëgjimore për secilin kandidat. Kalendari na e lejon të veprojmë në këtë mënyrë”, u shpreh Ilir Rusmali, kryetar i Komisionit të Ligjeve.

Një pjesë e deputetëve të djathtë kanë paraqitur një numër të madh pyetjesh dhe kërkesash çka e bën normale zhvillimin e seancave dëgjimore për çdo kandidat në ditë të ndryshme.

“Deputetë të veçantë, kush ka pasur interes, kanë bërë pyetje. Kërkesa është bërë me shkrim dhe përgjigjja do të vijë me shkrim”, u shpreh Rusmali.

Top Channel