Berisha dhe Rama, në mesjavë në Bruksel

15/06/2010 08:15

Apeli i diplomacisë europiane për krizën shqiptare paralajmëron zgjidhjen e shpejtë dhe të detyruar të saj.

Deklaratat e emetuara nga takimi i djeshëm në Luksemburg janë vetëm një pjesë e dukshme e mekanizmit që është vënë në lëvizje, me synim dhënien fund të situatës absurde ku vijon të mbahet vendi prej muajsh.

Burime nga Partia Socialiste bënë të ditur për gazetën “Shqip”, se brenda javës, mundësisht rreth së mërkurës ose së enjtes, dy përfaqësuesit më të lartë të politikës shqiptare, Kryeministri Sali Berisha dhe kreu i opozitës, Edi Rama, do të udhëtojnë në Bruksel për të arritur atë marrëveshje të pamundur deri më tani, përmes negociatave apo dialogut të zhvilluar në Tiranë.

Ndërmjetësimi i huaj është rishfaqur kështu si e vetmja rrugë për kompromis, i cili vërtitet ende në debatet teknike të propozimeve respektive.

Edhe për këtë çështje, duket se është menduar nga zyrtarët e BE, pasi sikurse bëhet e ditur, takimi mes Berishës dhe Ramës do të ketë si bazë diskutimi një draft final të përpunuar nga ekspertët europianë dhe që ka mbërritur dje në Tiranë në rrugë elektronike.

Ky komunikim ka zëvendësuar praninë e ekspertit europian në Shqipëri, që pritej zyrtarisht të mbërrinte dje.

Top Channel