Qeveria “fsheh” taksat

14/06/2010 15:35

Që nga dhjetori i vitit 2008, qeveria ka ndërhyrë në ligjet e taksave plot 21 herë, duke ndryshuar, si procedurat ashtu edhe nivelet e taksave për qytetarët.

Në fund të vitit 2008, qeveria uli kontributet e sigurimeve për biznesin me 5 pikë përqindje, duke e argumentuar si vazhdimin e filozofisë së saj të taksave të ulëta.

Me uljen e kontributeve, qeveria e lehtësoi biznesin me 4 miliardë lekë në vit. Por pas kësaj mase, taksat vetëm janë rritur. Nga dhjetori i 2008, qeveria ka rritur tre herë akcizat, biznesi më i preferuar i saj që nga viti 2005. Sipas të dhënave nga relacionet zyrtare akcizat, e kanë rritur barrën për qytetarët vetëm në dy vitet e fundit me mbi 10.5 miliardë lekë në vit, dy herë më shumë se sa lehtësimi që ju bë biznesit me uljen e sigurimeve.

Vec akcizave, janë një sërë ndryshimesh të tjera të taksave gjithmonë me tendencë rritje për të cilat nuk ka efekte paraprake të përllogaritura. Tre më kryesoret janë ulja e pragut të tvsh-së për biznesin nga 8 në 5 milionë lekë xhiro, rritja e taksave të automjeteve të përdorura dhe rritjet e shpeshta të taksave për lojrat e fatit.

Të gjitha taksat e ndryshuara, vec kësaj të fundit, që është një industri specifike, janë taksa që maskohen në cmim dhe gjithmonë paguahen nga konsumatorët. Vetë të dhënat e buxhetiot konfirmojnë se politika fiskale më shumë se sa ulkje taksash në finale ka qenë transferim I barrës fiskale nga bizneset e mëdha tek qytetarët.

Nëse në vitin 2005 individët paguanin taksa konsumi dhe taksa mbi pagën 128 miliardë lekë në vit në fund të 2009-ës kjo shifër është gati 80 për qind më e lartë. Në të njëtën periudhë pesha e taksave direkte, që paguan biznesi nga fitimet e tij ka rënë nga 24 për qind në 16 për qind, të totalit të ardhurave që mblidhen në buxhet.

Top Channel