Investimet, Bode: Ne mbajmë premtimet

14/06/2010 21:05

Ministri i Financave Ridvan Bode dhe ministri i Arsimit Myqerem Tafaj përuruan në rrethin e Devollit tre shkolla, të reja apo të rikonstruktuara.

Kjo shkollë, për të cilën u shpenzua një buxhet mëse modest, tërhoqi vëmendjen e dy ministrave të kabinetit për shkak të simbolikës politike.

Gjatë fushatës shkolla kishte një pamje tjetër dhe Partia Socialiste e përdori si ilustrim të dështimit të qeverisë. Sot, shkolla e rikonstruktuar, shndërrohet në simbol të premtimeve të mbajtura.

“Unë e ftoj zotin Rama të vijë të shohë shkollën, e cila u bë me 5 milionë lekë te reja. Kurse Rama, për të njëjtën shkollë, do të përdorte deri në gjysmë të punimeve 500 mijë dollarë”, ka deklaruar ministri Bode.

Nga ana tjetër, Partia Socialiste akuzoi pikërisht ministrin Bode për fundosje të investimeve publike, për shkak të rënies së të ardhurave në buxhet.

“Qeveria ndodhet në panik financiar. Një qeveri në panik është gati të mbysë biznesin privat dhe ekonominë familjare të cdo shqiptari për të shpëtuar veten”, ka deklaruar deputetja e PS, Mimi Kodheli.

U bë shumë kohë që qeveria dhe opozita replikojnë vazhdimisht për efektet reale të krizës ekonomike botërore mbi Shqipërinë. Opozita flet për rrenim ekonomik, kurse qeveria për mrekulli ekonomike.

Top Channel