Golem, pushuesit të pakënaqur nga papastërtia

14/06/2010 08:55

Pushuesit kërkojnë më shumë investime në infrastrukturën rrugore dhe pastërti në zonën turistike të Golemit, ndërsa pushteti vendor deklaron se po punohet për zhvillimin në vazhdimësi të zonës.

Infrastruktura rrugore dhe niveli i pastërtisë në plazhe mbeten dy nga shqetësimet kryesore të pushuesve në bregdetin shqiptar, ndërsa çmimet që ofrojnë operatorët turistikë nuk janë të ndryshme nga ato të sezonit të kaluar.

Pushues nga Kosova dhe Maqedonia, që janë kthyer në frekuentues të rregullt të plazhit të Golemit, kanë zbarkuar këto ditë për pushimet e radhës buzë Adriatikut. Ata shprehen me rezerva për pastërtinë në këtë zonë turistike, si dhe infrastrukturën rrugore, ndërsa për të tjerët gjendja e plazhit është përmirësuar.

Qëndrimet janë të ndryshme, ndërsa plazhi ofron dukshëm më shumë pastërti. Ndonëse fundjava ka hyrë shumë e nxehtë, numri i pushuesve në plazh nuk ka qenë i lartë. Kryesisht janë pushues të moshave të ndryshme, dhe familjarë mes tyre, që vijnë nga vendet fqinje për pushime disaditore. “Çmimet janë të arsyeshme për dikë që vjen të pushojë në këtë fillim sezoni, por pastërtia dhe rrugët lënë shumë për të dëshiruar”, shprehen katër shokë që kanë ardhur nga Prishtina në Golem.

E ndërsa rëra duket e pastruar, me përjashtim të një brezi leshteriku që ka pushtuar vijën ujore, ata sqarojnë se në ambientet përreth hoteleve dhe moteleve ka shumë mbeturina urbane që nuk hiqen në kohë dhe mund të kthehen në vatra infeksioni. Një tjetër pushues nga Shkupi, që ka ardhur së bashku me familjen, thotë i kënaqur se po shijon pushimet dhe qetësinë e këtij fillimsezoni.

Ndërkaq, rrugët që të nxjerrin në plazh dhe ato mes blloqeve të godinave të akomodimit janë të paasfaltuara dhe krijojnë shqetësim për pushuesit këmbësorë, por dhe ata me makina. Lidhur me këto shqetësime, kryetari i Komunës Golem, Agron Agalliu, tha dje se sezoni turistik sapo ka nisur dhe aktiviteti i 30 punonjësve të ndërmarrjes së shërbimit komunal do të vijë në rritje. Ndërkaq, për sa i përket gjendjes së rrugëve, ai thotë se janë dy arsyet që ndikojnë në mosmarrjen e investimeve.

Studimi urbanistik i të gjithë kësaj zone turistike në zhvillim pret të shqyrtohet dhe miratohet në KRRTRSH, ndërsa investimi që po kryhet për ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të zeza, pengon investimet në rrugë. Investime që mund të rrezikohen prej tyre, duke i kthyer në fonde të shkuara dëm. Kryekomunari Agalliu thotë se shtrirja e rrjetit do t’i kishte nxjerrë të padobishme investimet në rrugë.

Janë 5 milionë euro të akorduara nga Banka Gjermane për Zhvillim që po përdoren për zgjidhjen e një prej problemeve më gangrenë të kësaj pjese të zonës bregdetare, ku rrjeti i kanaleve të ujërave të zeza mungon dhe qindra godina shumëkatëshe dhe objekte të tjera funksionojnë me gropa septike, mbetjet e të cilave shpesh përfundojnë në det. Ndërtimi i kanalizimeve kryesore dhe dytësore synon të lidhë çdo pallat e shtëpi me rrjetin, ndërkohë që parashikohet dhe ndërtimi i disa puseve për thithjen dhe shtyrjen e ujërave drejt impiantit të pastrimit të ujërave të zeza në Karpen.

Top Channel