Ethet hemorragjike, vdes pacienti nga Kukësi

14/06/2010 08:00

Ethet hemorragjike kanë shënuar përhapje problematike në rajonin e Kukësit.

Gjatë muajit të fundit janë infektuar të paktën nëntë persona, ndërsa një prej tyre ka vdekur. Në spitalin rajonal në Kukës, e përkatësisht në shërbimin e infektivit, ndodhen pesë pacientë, dy prej të cilëve në gjendje të rënduar.

Shefi i pavijonit, Mark Nufi, tregon se dy të sëmurë rëndë, disa ditë më parë janë dërguar për mjekime të specializuara, ndërsa të tjerët po kurohen në Kukës dhe gjendja ndodhet nën kontroll të plotë.

Mjeku Nufi sqaroi se kanë qenë një nënë 35 vjeçe dhe i biri 13 vjeç nga Hasi që ndodheshin në gjendje të rënduar shëndetësore për jetën, por pas mjekimeve më të specializuara në Tiranë, njoftohet se ata janë jashtë rrezikut të jetës.

Sipas mjekut infeksionit të spitalit të Kukësit, Nufi, rasti i gruas nga Vranishti i Hasit, e cila u prek nga ethet hemorragjike, nuk është trajtuar gjatë, pasi çdo ndërhyrje mjekësore ishte e vonuar, për shkak të përshpejtimit të menjëhershëm të hemorragjisë dhe zhvillimit të sëmundjes.

“Është rasti i një 40-vjeçareje nga Vranishti i Hasit, e cila është dërguar fillimisht në spitalin e Gjakovës e më pas në Prishtinë, por pa rezultat. Kjo pasi ethet hemorragjike shkaktojnë gjakderdhje të brendshme, deri edhe në shpërbërje të zorrëve. Nëse kalojnë disa ditë pa ndërhyrje dhe trajtim të specializuar mjekësor, më pas nuk mund të shpëtohet më asgjë”, tha infeksionisti.

Në shërbimin infektiv në spitalin e Kukësit ndër personat e sëmurë me ethet hemorragjike ishte edhe një punëtor i autostradës, nga fshati Kolsh. Ai tregon se gjatë pushimit të drekës ka qëndruar nën hije në natyrë, ku dhe është pickuar nga rriqna, duke u infektuar me ethet hemorragjike. Edhe specialistët pohojnë se rriqna është burimi i etheve hemorragjike sikundërse ndodh kur miu i bardhë ndot ushqimet që konsumon njeriu.

Nga rriqna infektohen kryesisht edhe bagëtitë, madje ato bëhen burim i sëmundjes për njeriun. Sipas mjekëve infeksionistë, kushtet klimatike të stinës janë stimuluese dhe krijojnë premisa për përhapje të shpeshtë të etheve dhe për këtë duhet mbajtur higjienë e rreptë. Rriqna është një insekt që mund të ndodhet edhe në lëkurën e bagëtive, por edhe në livadh. Insekti mpin lëkurën e viktimës, para se ta pickojë, duke bërë krejt të pandjeshëm pickimin.  

Shenjat e sëmundjes janë temperaturë, ethe dhe hemorragji. Burim infeksioni janë kafshët, kryesisht miu dhe insektet. Transmetohet edhe tek njerëzit me kontakt të ngushtë. Nuk ka mjekim specifik. Ethet hemorragjike janë grup i sëmundjeve infektive akute të rënda të shkaktuara nga viruset. Karakterizohen me dëmtim të sistemit vaskular si dhe çrregullim të aftësisë rikuperuese të organizmit. Këto simptoma shpesh shoqërohen me hemorragji, që në shumicën e rasteve janë edhe shkaktarë të vdekjes.

Shkaktarët e etheve hemorragjike janë të përhapur në të gjithë globin. Njerëzit mund të infektohen edhe nga strehuesit e eksportuar prej vendeve të tjera, që njihen si vende endemike për një lloj të caktuar të etheve hemorragjike

Top Channel