Kriza, BE mbështet PE-në

13/06/2010 20:35

Nga mbledhja e Ministrave të Jashtëm Europian në Luksemburg, me përjashtim të Serbisë, për vendet e tjera të Ballkanit, konkluzionet parashikohen të zymta përsa i takon përafrimit konkret drejt BE-së.

Për Shqipërine, mosmarrëveshja politike pritet të përfshihet për herë të parë në përfundimet e një takimi të rëndësishëm të këtij niveli. Për të treguar se inisiativa e Parlamentit Europian nuk është e izoluar, drafti i konkluzioneve të Këshillit të BE-së parashikon fjalinë, “Ministrat e Jashtëm mbështesin përpjekjet e Daul dhe Shulz, si inisiative që gëzon dhe mbështetjen e Përfaqësueses së Lartë (Ashton) dhe Komisionerit për Zgjerim, Fule”.

Serbia është i vetmi vend që do të fitojë diçka, pasi vendet anëtare, sipas draftit, do t’i kërkojne parlamenteve nacionale që të ratifikojne MSA-në. Marrëveshja e ndërmjetme është zbatuar në mënyrë të njëanshme deri tani nga Serbia, për shkak se BE kërkonte bashkëpunim të plotë të Beogradit me Gjykatën Ndërkombetare të Hagës.

Në dhjetor vlerësohet se kryeprokurori Bramertz përpiloi një raport pozitiv ndaj Serbisë që pritet të publikohet në 18 qershor, por ai do të informojë Këshillin të hënën mbi këtë bashkëpunim.

Maqedonia është një tjetër vend që pritet të përballet me dështimin e radhës për shkak të mospërparimit në zgjidhjen e çështjes së emrit me Greqinë. Diskutimi për çeljen e negociatave për anëtarësim nuk është përfshirë fare në draft-konkluzione. Per këtë ministrave të Jashtëm të BE-së iu është dërguar një letër publike nga 10 eurodeputetë nga 8 vende anëtare që përfaqësojnë 4 grupime të ndryshme politike në PE.

Ata i bëjnë thirrje Këshillit “që të marrë përgjegjësine e nevojshme për t’i ofruar Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë një datë për negociatat”.

Duke i përmendur ndihmën financiare Greqisë, eurodeputetet kërkojne solidaritet, pasi “shtyrja e vendimit të Këshillit, edhe kësaj radhe, do të dërgonte sinjal politik negativ dhe do të kërcënonte stabilitetin e Ballkanit. Kjo gjë do të minonte dhe kredibilitetin e politikës së jashtme europiane kundrejt Ballkanit Perëndimor” sipas tyre.

Për Bosnjën, Kosovën dhe Malin e Zi nuk parashikohet asgjë, por nëse miratohen pjesë nga deklarata e Sarajevës, pritet të përsëritet “perspektiva europiane e Ballkanit” e shoqëruar me kushtëzimin e ecurisë së këtyre vendeve “sipas meritave individuale”.

Top Channel