Katër komando të Poshnjes preken nga zgjebja

13/06/2010 08:20

Jetesa në kushte skandaloze dhe në mungesë të theksuar kushtesh higjieno-personale janë bërë shkak që katër komando të Repartit të Reagimit të Shpejtë në Poshnje të preken nga zgjebja, ose scabies siç njihet në gjuhë mjekësore.

Lajmin e bëjnë të ditur për gazetën “Shqip” vetë komandot e këtij reparti, të cilët deklarojnë se katër ushtarë janë detyruar të ndërpresin fushimin, stërvitjen në natyrë, për shkak të prekjes nga kjo sëmundje ngjitëse e lëkurës. Frika e përhapjes së zgjebes te shokët e tyre të repartit, i ka detyruar bluzat e bardha të kërkojnë izolimin deri në përfundimin e mjekimit dhe për sa kohë të mos jenë më burim sëmundjeje për të tjerët.

Po sipas burimeve pranë forcave komando, dy ditë më parë katër kolegë të ushtarëve janë ankuar se u kishin dalë në lëkurë disa puçrra të vogla të kuqe. Ata kanë shprehur shqetësimin e tyre pranë drejtuesve të repartit dhe kanë marrë leje për t’u larguar në shtëpitë e tyre.

Ditën e djeshme katër komandot mësohet se kanë kryer vizita te mjekja dermatologe pranë spitalit të Beratit, Albana Dyli, ku dhe është konstatuar se janë prekur nga sëmundja e scabies, ose siç njihet në jetën e përditshme, zgjebja. Komandot kanë marrë menjëherë mjekim për t’u trajtuar në kushtet e shtëpisë, por u është ndaluar kategorikisht rikthimi pranë kampit për fushim.

Prekja e komandove nga sëmundja e zgjebes mësohet se ka ardhur si rezultat i mungesës së theksuar të higjienës personale, si pasojë e qëndrimit për ditë të tëra pa u larë në ditët e nxehta.

Ata ankoheshin se po stërviteshin në kushte skandaloze, ku nuk kishin as dushe dhe as rroba për t’u ndërruar. Në letër ata shkruanin se kishin dhjetë ditë pa u larë dhe nuk kishin mjaftueshëm ujë të pijshëm. Për sa i përket ushqimit, ushtarët shqiptarë që dërgohen në misione jashtë vendit në kuadër të NATO-s, shkruanin se vaktet e mëngjesit dhe të darkës ishin në porcione fare minimale. Menjëherë pas publikimit të shqetësimit të tyre, erdhi reagimi nga drejtuesit e repartit. Pas inspektimit në këtë zonë, ku 200 komandot kanë nisur prej gati 2 javësh fushimi, nisën ndryshimet e para.

Vetë komandot deklaruan për një përmirësim të kushteve higjieno-sanitare dhe të dietës ushqimore gjatë ditëve të fushimit. Atyre iu siguruan kushtet higjieno-sanitare dhe u lejuan të shkonin në shtëpi, por kushtet e disa ditëve më parë nuk kaluan pa lënë gjurmë te komandot paqeruajtës të repartit të ndërhyrjes së shpejtë. Katër prej tyre tashmë duhet të mjekohen për zgjebe, ndërkohë që komandot e tjerë ndodhen ende në fushim.  

Top Channel