Borxhi nga pensionet e sigurimet

13/06/2010 17:00

Të dhënat zyrtare të buxhetit tregojnë se financat e qeverisë më shumë se nga investimet publike po vihen në vështirësi nga një tjetër zë që ka të bëjë me shpenzimet për sigurimet shoqërore dhe ato shëndetësore.

Të dhënat zyrtare tregojnë se në vitin 2010, shpenzimet për fondet speciale, pjesa dërrmuese e të cilave përbëhet nga fondi i pensioneve dhe ai i sigurimeve shëndetësore parashikohen 110.2 miliardë lekë ose 60 për qind më shumë se tre vjet më parë.

Një raport i fundit i Bankës Botërore, i prezantuar pak ditë më parë në Tiranë nga kryeekonomisti për Europën dhe Azinë, Intermid Gill, theksonte se pikërisht rritja e pensioneve, së bashku me investimet publike, janë dy faktorët që kanë sjellë rritjen e defiçitit buxhetor dy vitet e fundit, e për rrjedhojë dhe atë të borxhit publik.

Të dhënat tregojnë se në tre vjet, defiçiti i fondeve speciale është përkeqësuar me mbi 20 miliardë lekë, kryesisht si pasojë e rritjes së pensioneve, por edhe shpenzimeve për sigurimet shëndetësore.

Qeveria edhe për këtë vit ka parashikuar një fond prej 2.7 miliardë lekësh për rritjen e pensioneve, e cila pritet të zyrtartizohet në 1 korrik. Edhe pse tashmë skema e sigurimeve shfaq një tendencë të qartë defiçitare si pasojë e rritjes së përvitshme të pensioneve dhe uljes së kontributeve për sigurimet shoqërore.

Në vitin 2010 qeveria u detyrua të ulë në mënyrë drastike investimet publike për të mbajtur nën kontroll financat e saj. Disa ekspertë të opozitës thonë se kjo është pasojë e politikave të qeverisë, e cila, sipas tyre, po i kanalizon paratë publike jo në investime që krijojnë punësim dhe rritje ekonomike, por në shpenzime për të financuar politikat e saj populiste.

Top Channel