Solidaritet me familjen Marko

12/06/2010 15:50

Prej kohësh tashmë jeton në kushte tejet të rënduara ekonomike familja e Petro Markos, njërës prej penave më të denja të letrave shqiptare.

Por ndërsa letërsia vendase ka në trashëgimin e saj disa pasuri me shumë, në sajë të krijimeve të Markos, familja e tij jeton në zemër të kryeqytetit, e gllabëruar nga varfëria dhe pamundësia për t’i shpëtuar asaj, edhe për shkak të gjendjeve shëndetësore në të cilat gjenden bashkëshortja e Petros, Safoja dhe djali i tij Jamarbër.

Këtë situatë, Arianita, vajza e shkrimtarit, e ka përballuar e vetme për shumë kohë, e zhytur në dhimbje e stërmundime, por mbi të gjitha në heshtje, për të ruajtur dinjitetin e familjes së saj.

Heshtje që e thyen fillimisht mikeshat e saj, duke nisur e-maile informuese mbi situatën. Gazeta “Shqip” prej disa ditësh, nën moton “Maratona e solidaritetit për familjen Marko” po bën apel për të kontribuar në rikthimin e dinjitetit të kësaj familjeje. Apel që fatmirësisht po merr pergjigje.

“Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në bashkëpunim me Galerinë Kombëtare të Arteve vendosi blerjen e një pikture me një shumë prej 300 mijë lekësh të reja, gjithashtu është menduar edhe një blerje e dytë”, është shprehur Lorisa Ylli, zëdhenëse e MTKRS-së.

Kinema Imperial ka vënë në dispozicion të ardhura nga shitjet e biletave të biznesit të saj.

“Kinemaja Imperial iu bashkua apelit për familjen e Petro Markos dhe shpresojmë që të këtë apel ta dëgjojnë edhe të tjerë”, theksoi Altin Prifti, drejtor i përgjithshëm i “Imperial”.

Shoqata Çamëria ka derdhur 5 mijë euro dhe është angazhuar për botimin e disa shkrimeve të Petro Markos.

“Duam në radhë të parë të sensibilizojmë gjithë Shqipërinë shqiptare, median, por edhe biznesin”, tha deputeti Shpëtim Idrizi.

Apeli për ndihmë vjen edhe nga Unioni i Gazetarëve shqiptarë.

“Kur monumentet neglizhohen në qendër të metropolit, merreni me mend se si neglizhohen në periferi të vendit”, është shprehur Aleksandër Çipa, kryetar i Unionit.

Gazeta “Shqip” po publikon këto koordinata bankare, ku mund të japin ndihmesën e tyre, të gjithë ata që dëshirojnë të ndryshojnë gjendjen sa të rënduar dhe absurde, në të cilën ndodhet familja e Petro Markos, njërit prej kontribuesve më të mirë të ngritjes së nivelit të letërsisë shqiptare.

Top Channel