Shtohet plani i huamarrjes për qershorin

12/06/2010 09:05

Ministria e Financave rishikoi në rritje planin e vet të huamarrjes në tregun e brendshëm për herë të dytë brenda këtij muaji, bëhet e ditur nga dokumente të publikuara.

Financat patën parashikuar të emetonin 28.8 miliardë lekë bono thesari dhe obligacione në lekë gjatë këtij muaji, por plani u rrit fillimisht në 30.9 miliardë lekë dhe së fundmi, në 32 miliardë.

Rritja nga plani fillestar prej 3.2 miliardë lekësh (rreth 30 milionë dollarë), përbën rreth 10 për qind të shpenzimeve të zakonshme mujore të qeverisë.

Ndryshimi i planit të huamarrjes shpreh njëkohësisht vështirësitë në rritje në realizimin e planit të të ardhurave buxhetore, si dhe vështirësitë në parashikimin e saktë të ecurisë.

Rishikimi i planit shton gjithashtu frikën se qeveria mund të gllabërojë një pjesë të madhe të parasë së lirë që disponohet sot nëpër banka, duke krijuar vështirësi në kreditimin e bizneseve private dhe konsumatorëve.

Top Channel