Fini : Vizat, një premtim që duhet mbajtur

12/06/2010 14:55

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka vijuar në Qipro atë që ajo e quan “diplomaci parlamentare”. Pra është takuar me homologë të saj europianë dhe u ka kërkuar atyre të mbështesin aspiratat integruese të Shqipërisë.

Këtë ajo e ka bërë me kryetaren e Dhomës së Lordëve të Mbretërisë së Bashkuar, Kryetarin e Parlamentit të Sllovenisë, Letonisë, Bullgarisë, nënkryetarin e Parlamentit të Portugalisë, Kryetarin e Senatit të Polonisë, etj. Zonja Topalli ka pasur një takim të posacëm me kryetarin e parlamentit hungarez Pal Shmit.

Një fjali të posacme për këtë pati edhe Gianfranco Fini, presidenti i dhomës së deputetëve në Itali:

« Eshtë një angazhim që Bashkimi Europian e ka marrë dhe duhet respektuar. Sepse është një mundësi që u është garantuar ndërkaq vendeve të tjera që nuk janë në Bashkimin Europian dhe nuk shoh se për cfarë arsye të mos i njihet edhe shqiptarëve e njëjta mundësi. Italia është shprehur pro dhe e ka pranuar shprehimisht ministri i Punëbe të Jashtme Fratini », tha Fini.

Në Qipro janë mbledhur Kryetarët e parlamenteve të vendeve anëtare të Këshillit të Europës. Shqipëria është anëtare e Këshillit të Europës që prej vitit 1995. Anëtarë të Këshillit të Europës janë edhe vendet anëtare të Bashkimit Europian, ku Shqipëria ka paraqitur një kërkesë për anëtarësim një vit më parë.

Top Channel