Remitancat vijojnë rënien edhe këtë vit

11/06/2010 09:00

Paratë që ushtria e punëtorëve shqiptarë jashtë vendit kthejnë në atdhe u pakësuan edhe në tremujorin e parë të këtij viti, duke shënuar vitin e tretë radhazi në rënie, bëhet e ditur nga bilanci i hyrje-daljeve valutore të vendit që u publikua dje nga Banka e Shqipërisë.

Emigrantët sollën në atdhe 170 milionë euro gjatë periudhës janar-mars 2010, nga 183 milionë euro që patën sjellë në të njëjtën periudhë të vitit 2009.

Tremujori i parë i këtij viti ishte më i keqi i regjistruar në këtë drejtim që nga viti 2005.

Shkaku kryesor i rënies së remitancave besohet se është ashpërsimi i krizës në Greqi.

Të dhëna indirekte tregojnë se gjithnjë e më shumë emigrantë po kthehen përgjithmonë nga fqinji ynë jugor, pasi nuk arrijnë më të gjejnë punë.

Vitin e kaluar, emigrantët sollën në atdhe 781 milionë euro ose 52 milionë euro më pak se në vitin 2008.

Megjithëse me rënie prej 6.7 përqindësh, remitancat vlerësohen nga ekspertët si shumë të qëndrueshme, për shkak se rënia ishte më e paktë nga ajo që pritet.

Banka e Shqipërisë thotë se të ardhurat nga emigrantët varen veçanërisht nga situata e punësimit në Greqi, Itali dhe vende të tjera europiane.

Krahasimi i grafikut të ecurisë së prurjeve të emigrantëve me nivelin e papunësisë në këto vende tregon një korrelacion të konsiderueshëm.

Megjithatë, rënia prej vetëm 6.7 përqindësh tregon se emigrantët kanë parapëlqyer të kursejnë në drejtime të tjera dhe jo në shumat e parave që i dërgojnë familjeve në atdhe.

Top Channel