NATO mbetet pa para

11/06/2010 15:45

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, lëshoi alarmin se shpenzimet për mbrojtjen kanë rënë në pjesën dërrmuese të vendeve anëtare të NATO-s, si pasojë e krizës globale.

Sipas të dhënave të publikuara nga NATO, vetëm 5 nga 28 vendet e aleancës kanë përmbushur kriterin për të adresuar 2 për qind të produktit të brendshëm bruto për sektorin e mbrojtjes.

Lista kryesohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që shpenzojnë 4 për qind të GDP për mbrojtjen dhe më pas nga Anglia, Franca e Greqia. Vendi i pestë që ka plotësuar kriterin e shpenzimeve buxhetore është Shqipëria.

Edhe pse me një buxhet të papërfillshëm krahasuar me shumicën e vendeve anëtare të NATO-s, qeveria shqiptare i është përmbajtur kushtit për të shpenzuar 2 për qind të Produktit të Brendshëm për sektorin e mbrojtjes.

Sipas të dhënave të buxhetit, vitin e kaluar qeveria shpenzoi rreth 25.3 miliardë lekë për mbrojtjen, para që shkuan për modernizimin e ushtrisë shqiptare dhe mbajtjen e personelit ushtarak.

Ndërkaq të dhënat e publikuara nga NATO tregojnë se 23 vendet e tjera antare të organizatës i kanë ulur shpenzimet e mbrojtjes poshtë 2 për qind të GDP. Gjermania e cila u detyrua të rishikonte deficitin buxhetor i ka ulur shpenzimet e mbrojtjes në 1.4 për qqind të GDP.

Bullgaria dhe Turqia ranë poshtë nivelit 1.8 për qind. Në këto kushte Rasmusen i ka bërë thirrje qeverive që të mos cënojnë buxhetet e mbrojtjes. Në një takim të zhvilluar me ministrant e mbrojtjes së 28 vendeve anëtare, sekretari i përgjithshëm i NATO-s tha se qeveritë duhet të presin dhjamin dhe jo muskujt, duke nënkuptuar që të shkurtojnë shpenzime në sektorë të tjerë jo në atë të mbrojtjes.    

Top Channel