Kriza, afati në mesjavë

11/06/2010 19:45

Pas deklaratës së zv/kryetarit të Delegacionit europarlamentar për Ballkanin Victor Boshtinaru, burime nga pjesëmarrësit e mbledhjes së një dite më parë në Parlamentin Europian rrëfyen për TCH, se afati i fundit për arritjen e një marrëveshjeje nga palet në Tiranë është caktuar të jete mesi i javës së ardhshme.

Sipas të njëjtave burime, pas takimit të djeshëm në Bruksel, drejtuesit kryesorë të Parlamentit Europian kanë përcaktuar parimet mbi të cilat duhet ngritur marrëveshja.

“Kryeministri Berisha dhe kryesocialisti Rama janë njoftuar se në respekt të hapësirave që lejon Kushtetuta, por dhe të nevojës për transparencë, duhet të formulojnë vetë një trup kompromisi të mundshëm për zgjidhjen e ngërcit politik deri të enjten”, deklaruan këto burime.

Të ndërgjegjshëm për divergjencat mbi disa detaje që pengojnë arritjen e një marreveshjeje të mundshme, negociatorët europianë shpjeguan se vetëm për kapërcimin e tyre, mund të ftojnë sërish në Strasburg ciftin Berisha-Rama, kësaj here, pa dreka apo darka në “Crocodile”.

“Ftesa varet nga gjetja e gjuhës së përbashkët, në vija të trasha, deri të mërkurën mes socialistëve dhe demokratëve, në mënyre që ne të diskutojmë vetem për detajet në Strasburg. Nëse as kjo nuk arrihet, ne do të heqim dorë, me keqardhje, dhe do të dalim me një qëndrim publik që do të reflektojë mesazhin që përmbante letra e dy krerëve të grupimeve politike në PE”, u shprehen burimet.

Për kujtesë, në letren e 19 majit, Daul dhe Schultz kërcënonin me ngrirjen e procesit të integrimit të Shqipërisë deri në arritjen e një marrëveshjeje, ndërsa Bostinaru përforcoi një ditë më parë deklaratat e mëparshme të disa eurodeputetëve, se dështimi do të bllokonte c’do cështje në marrëdhënien BE-Shqipëri, përfshirë dhe vizat.

“Që ky mesazh të jetë sa më i qartë për dy partitë kryesore në Tiranë, ne kërkuam enkas përfshirjen në Këshillin e të hënës të ministrave të Jashtëm të konkluzioneve mbi Shqipërinë, në mënyrë që dy palët në vend të kuptojnë seriozitetin tonë kur flitet për marrëdhëniet BE-Shqipëri”, rrefyen burimet pranë ekipit negociator europian.

Në fakt, në axhendën e publikuar të takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së, të cilët mblidhen në Luksembourg ditën e hënë shkruhet:

“Për Shqipërinë, Këshilli do të disktuojë mbi situatën politike, sipas informacioneve mbi përpjekjet lehtësuese të iniciativës së Daul dhe Schulz, e cila gëzon mbështetjen e Përfaqësueses së Lartë Ashton dhe komisionerit për Zgjerim, Fule”.

Top Channel