Zgjedhjet belge, një shqiptar kandidat

10/06/2010 00:00

Në 13 qershor mbahen zgjedhjet e përgjithshme në Belgjikë, ku komuniteti shqiptar përfaqësohet me kandidatin e Partisë Socialiste belge, Ahmet Gjanaj në rajonet e Brukselit dhe Hal-Vilvorde, që përfshijnë 54 komuna gjithësej.

“Nëse bëhem deputeti sigurisht që do të ketë një efekt të menjëhershëm për komunitetit shqiptar në dy nivele, unë do të mund të ndërhyj në mënyrë direkte apo indirekte për të zgjidhur problemet e ndryshme që do paraqesin shqiptarët për punësim për banesa e për gjithëçka. Në nivelin kolektiv duke qenë deputet sigurisht që do të ketë një imazh tjetër”, deklaroi për Top Channel kandidati shqiptar i socialistëve belgë, Ahmet Gjanaj.

Deri më sot asnjë belg me origjinë shqiptare nuk është zgjedhur në nivele të larta përfaqësimi në Belgjikë.

“Në rast se ne do të kishim një përfaqësues në parlamentin federal belg do të ishte shumë herë më e thjeshtë për të kërkuar ato gjëra të cilat na mungojnë, disa për arsye sepse nuk jemi shumë të organizuar, disa për arsye se jemi disi të diskriminuar dhe disa për arsye sepse nuk mundet të çojmë zërin deri aty ku duhet”, tha kryetari i shoqatës shqiptaro-belge, “Konica”, Genti Metaj.

“Së pari problemi qendronte tek psikologjia e shqipëtarëve. Emigracioni i vjetër politik shqiptar tentoi të tregohej luajal ndaj Shqipërisë duke shpresuar se do të kthehej një ditë atje, pra respektonin vendin pritës, por pa u angazhuar politikisht në Belgjikë sepse origjina ishte shqiptare e duhej ruajtur. Ekziston problemi i shpërndarjes politike ku është e vështirë që t’i mbledhësh shqiptarët me bindje të ndryshme politike rreth një kandidati që mund t’i përfaqësonte të gjithë. E po kështu dhe shpërndarja gjeografike, sepse këtu ka shqiptarë të Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë. Të gjitha këto bëjnë që shqiptarët, si në çdo rast tjetër, edhe pse kanë kapacitetin e duhur, nuk arrijnë ta konkretizojne atë, dhe le të shpresojmë që këtë radhë do të jetë ndryshe”, deklaron  Safet Kryemadhi, Sekretar për Punët Publike në Bashkinë e Brukselit.

Sistemi belg i zgjedhjeve është proporcional i pastër dhe pragu elektoral për një deputet është 25 mijë vota. Në fletë votimi Ahmet Gjanaj renditet i 10 për listën e zevendesuesëve të Partisë Socialiste, por ai pretendon se ka shanse që të fitojë kësaj radhe nëse arrin të sigurojë të njëjtin numër votash që mori në zgjedhjet e kaluara të 2007-ës apo 2009-ës.

Top Channel