Kriza, ultimatumi i fundit i PE-së

10/06/2010 16:50

Dy grupet kryesore në Parlamentin Europian, PPE dhe Socialdemokratët, janë mbledhur për të shqyrtuar situatën në Shqipëri. Zëvendëskryetari i delegacionit për Ballkanin, Victor Boshtinaru, tregoi se sipas informacioneve të tij, të majtët dhe të djathtët europianë kanë rënë dakord për një draft zgjidhjeje gjë të cilën do ia propozojnë me telefon Tiranës.

“Nëse do të arrihet një marrëveshje, atëherë dy grupet politike europiane do ta firmosin atë me dy liderët, kryeministrin Berisha dhe kryetarin socialist Rama. Por nëse këta dy liderë do të hedhin poshtë propozimin e Parlamentit Europian, nëse unë jam informuar mirë dhe besoj që e di mirë këtë situatë, të dy grupet politike europiane vendosin të ngrijnë të gjitha çështjet me Shqipërinë, përfshi dhe atë për regjimin e lirë të vizave”, është shprehur Boshtinaru.

TCH: Ky draft apo propozim që thoni ju vjen nga marrëveshja mes PPE-së dhe socialdemokratëve europianë apo u propozua nga Tirana?

Boshtinaru: “Drafti është përpiluar nga dy grupet politike të Parlamentit Europian. Të dy liderët në Tiranë janë plotësisht në dijeni të përmbajtjes. Për mendimin tonë, ky draft është mjaftueshëm fleksibël për t’u pranuar nga të dy, por kjo varet nga vendimi që do të marrin dy partitë. Ata duhet të jenë të vetëdijshëm për ndikimin dhe pasojat për këtë marrëveshje”.

Takimi ka qenë i fshehtë jo vetëm për median, por edhe për eurodeputetë të ndryshëm. Në këtë mbledhje, PPE dhe Socialdemokratët europianë janë përfaqësuar nga kryetarët dhe nënkryetarët respektivë, po thuhet se i pranishëm gjatë bisedimeve mbi Shqipërinë ishte dhe kreu i delegacionit për Ballkanin, Kukan. I pyetur mbi rezultatin e këtij takimi dhe pse mendonte se palët në Shqipëri mund të pranonin draftin e PE-së, Kukan tha se nuk mund të jepte detaje, por përsëriti mesazhin për marrëveshje ndaj të dy palëve.

“Po bëjmë ç’është e mundur nga ana jonë për të zgjidhur ngërçin politik, sepse kjo po dëmton vendin, po dëmton të ardhmen e tij dhe progresin drejt BE-së. Ne bëmë gjithçka mundëm dhe tani u takon atyre që të arrijnë marrëveshje. Ne duhet t’i inkurajojmë e t’i shtyjmë ata me mirësjellje që të arrijnë një marrëveshje dhe kaq, sepse ne deri tani s’kemi asnjë lajm prej tyre që të kenë arritur marrëveshje”, është shprehur Kukan.

Sipas eurodeputetit Boshtinaru, nuk ka pse të përsëritet një darkë e dytë e nivelit “CROCODIL”. Por shtoi se “nëse drafti pranohet, ai do të firmoset shpejt edhe nga përfaqësuesit e Parlamentit Europian dhe Komisionit gjithashtu”.

Top Channel