Rama: Berisha, arkitekt i dështimeve

09/06/2010 15:00

Partia Socialiste e quajti kryeministrin Sali Berisha, arkitektin e dështimeve të medha që inauguron punë për të disatën herë , rrënon cdo ditë ekonominë dhe që ka lejuar sipas Ramës shtrirjen e korrupsionit në cdo sektor kyc për vendin.(UPDATE)

Sipas kryesocialistit kriza i ka rrënjët tek kutitë e votimit, të cilat pengojnë transparencën që për kreun e PS-së bie ndesh me interesat politike e financiare të pushtetit të Berishes.

“A ka shqiptar të logjikshëm që ta besojë se ne jetojmë në vendin me zhvillimin më të shpejtë në botë, ndërkohë që varfëria rritet cdo ditë, me ekonominë më të shëndetshme në botë, ndërkohë që papunësia rritet cdo ditë, me qeverinë më të suksesshme në botë, ndërkohë që korrupsioni rritet cdo ditë e cdo ditë ndodhin krime të padëgjuara më parë, dhe me kryeministrin më të mirë në botë, ndërkohë që zotëria ka frikë të hapë kutitë e votimeve nga ka dalë? Sali Berisha vazhdon avazin e vetëm që di, shpif shpif se dicka mbetet, gënje gënje se dicka besohet, grabit, grabit dhe shkatërro, shkatërro se gjithshka harrohet”, u shpreh Rama.

Kryetari i Partise Socialiste i bëri thirrje kryeministrit të lejojë transparencën për të mos shtyrë sic tha ai më tej vendin në humnerë.

“Është koha për të folur hapur me shqiptarët e për t’u treguar të vërtetën e krizës, duke nisur nga transparenca e zgjedhjeve që do të clirojë votën e tyre dhe do t’i bëjë qytetarët gjykatësit e vërtetë të qeverisjes e të politikës. Është koha për të mos bërë veshin shurdh karshi kërkesës së të gjithë komunitetit ndërkombëtar për zgjidhjen e krizës dhe për të mos gënjyer veten, as duke kujtuar se miqtë e partnerët tanë do mbyllin sytë tanimë që janë ulur të gjithë në tavolinë për zgjidhje dhe as duke e marrë urtësinë e opozitës si dobësi”, tha Rama.

Sipas zotit Rama ka nje hendek te madh midis vendit qe paraqet berisha me sukseset e tij imagjinare dhe realitetit me xhepa bosh te shqipetareve.

“Por ne nuk gëzohemi me dështimet e përditshme të kësaj qeveri, sepse faturën e dështimeve e paguajnë shqiptarët. Prandaj kemi pranuar kompromisin që i hap rrugë transparencës së zgjedhjeve. Dhe prandaj nuk do rreshtim së kërkuari rrugën e arsyes, duke kërkuar pa rreshtur marrëveshjet e negociuara që i bëjnë mirë Shqipërisë e njëkohësisht, duke rezistuar me të gjitha forcat kundër të keqes që i vjen demokracisë drejtësisë, ekonomisë së vendit nga politika e vjetër e abuzimit me pushtetin”, përfundoi Rama.

Top Channel