Borxhi, qeveria, valutë në tregun vendas

09/06/2010 19:55

Qeveria është vënë në nevojë për euro, pasi i duhet të shlyejë interesin e kredisë që mori për rrugën Durrës-Kukës dhe të financoje disa projekte të tenderuara në valutë.

Por, në pamundësi për të marrë borxh përmes eurobondit, Ministria e Financave është detyruar të gjejë një zgjidhje tjetër.

“Në strategjinë tonë për të diversifikuar financimin do të shohim mundësinë e emetimit të bonove të brendshme në euro”, ka bërë të ditur Xhentil Demiraj, drejtor i borxhit në MF.

Bonoja do të emetohet në ankand nga Banka e Shqipërisë, njëlloj si letrat me vlerë në lekë. Kjo është hera e dytë kur qeveria provon të marrë borxh në valutë nga bankat private vendase.

“Likuiditeti në tregun e brendshëm vazhdon të mbetet në nivele të konsiderueshme. Norma ka qenë 150% në muajt e fundit”, ka sqaruar Demiraj.

Ministria e Financave u është përgjigjur edhe akuzave të opozitës për rritjen e huamarrjes së brendshme.

“Huamarrja e 2010-ës vijon të jetë në përputhje me ligjin. Gjithcka do të bëhet me huamarrjen e brendshme, por edhe atë të jashtme”, ka shtuar Demiraj. Qeveria është zotuar se do të reduktojë deficitin tregtar gjatë vitit 2010 në kufijtë 4 për qind.

Top Channel