Bërthamoret, KS miraton sanksionet ndaj Iranit

09/06/2010 17:45

Këshilli i Sigurimit të OKB-së ka votuar në favor të sanksioneve të reja ndaj Iranit, për shkak të programit të tij bërthamor.

Në Këshill u regjistruan 12 vota pro, 2 kundër dhe një abstenim, duke u miratuar kështu raundi i katërt i sanksioneve, përfshirë ashpërsimin e atyre financiare, si dhe një embargo armësh.

Shtetet e Bashkuara kanë qenë vendi që kanë bërë thirrje për ashpërsimin e sanksioneve ndaj Iranit, i cili deri më sot nuk është përballur me to.

Por presidenti iranian Mahmoud Ahmadinejad më herët paralajmëroi se vendi i tij nuk do pranojë bisedime të mëtejshme për cështjen bërthamorë nëse do të vendosen sanksione.

SHBA dhe aleatët e saj druhen se Irani po përpiqet që në mënyrë të fshehtë të ndërtojë bombën atomike, por Teherani insiston se programi i tij ka vetëm qëllime paqësore.

Rezoluta e Këshillit të Sigurimit u kundërshtua nga Turqia dhe Brazili, të cilët pak ditë më parë nënshkruan një marrëveshje me Iranin për pasurimin e uraniumit. Ndërsa abstenimi erdhi nga Libani.

Top Channel