Ligji për faljen

08/06/2010 19:45

Mazhoranca dhe opozita miratuan në unanimitet parimisht projektligjin e qeverisë i cili përcakton kritere të qarta në ligjin për faljen, në bazë të të cilit presidenti i Republikës ushtron kompetencën kushtetuese për të drjetën e faljes.

Përcaktimi i këtyre kritereve është vlerësuar i domosdoshëm nga të gjithë deputetët, veçanërisht nga ata të opozitës, të cilët artikuluan qartë dyshimet për keqpërdorim apo abuzim me të drejtën e faljes.

“Në këtë ligj për faljen, në nga një ligj që falja të jetë si përjashtim, e kemi bërë si një ligj që mund të keqpërdoret, ashtu si është keqperdorur në prill 2010, kur janë falur 367 persona, nga të cilët 48 persona janë dënuar nga gjykata e krimeve të rënda, njeri prej tyre është dënuar në 2007 në qershor dhe presidenti i ka falur 10 vjet burgim. Pra personalisht nuk mund ta konsiderojë këtë si mëshirë, të dënuar shumë pak kohë përpara dhe i falen 10 vjet”, është shprehur deputetja e PS-së, Vaselika Hysi.

“Varianti i dytë është fakti që ne të kujdesemi për hir të abuzimeve të ndryshme që mund të ndodhin dhe që ndoshta të gjithë e pranojmë në një lloj mënyre që edhe kanë ndodhur, atëherë të kujdesemi që disa kritere ndaluese për t’i prerë rrugën pikërisht këtyre abuzimeve”, theksoi deputeti demokrat, Subashi.

Ligji për faljen do të kalohet të henën nen për nen, pasi deputetët socialistë kërkuan kohë për të paraqitur disa amendamente që forcojnë kriteret dhe kategoritë e të dënuarve që përfitojnë nga ligji për faljen.

Top Channel