Marku: PS kërkon të shkelë sistemin ligjor

07/06/2010 21:55

Deputeti Mark Marku ka deklaruar se takimet e zhvilluara nga krerët e partive politike në rrethe janë një nismë për të mbrojtur secili variantet respektive mbi transparencën e zgjedhjeve.

Duke folur në emisionin “Shqip” në Top Channel, Marku ka vlerësuar se situata politike në vend është ende në pikën e nisjes, pasi palët nuk lëvizin nga qëndrimet e tyre.

“Është një fushatë për opinionin publik, secila nga palët mbron një version të vetin për transparencën. Situata është në pikën fillestare, sepse dy palët vazhdojnë të qëndrojnë në qëndrimet e tyre”, ka pohuar Marku.

Sipas tij, takimi i Strasburgut është keqinterpretuar, pasi ai nuk kishte si qëllim arritjen e një marrëveshjeje, por nxitjen e dialogut mes palëve.

“Strasburgu është kuptuar gabim, se do të zgjidhi të gjitha problemet e politikës shqiptare. Por ai ishte një nxitje për fillimin e dialogut. Megjithatë, situata nuk është aq rozë apo e zezë sa mendohet”, është shprehur Marku, duke nënvizuar se takimi i ndërmjetësuar nga komisioneri për Zgjerimin Shtefan Fyle, nuk ka qenë një mesazh për mazhorancën.

“Në Strasburg nuk është transmetuar një mesazh për Berishën, atje janë thirrur dy palët për të gjetur një kompromis”, ka theksuar Marku.

Më tej deputeti demokrat ka akuzuar opozitën, se kërkon të shkelë tërësisht sistemin ligjor, pa pasur asnjë provë për pretendimet e saj për vjedhje votash.

“E gjithë kjo periudhë është një kohë e humbur, kur ne në bazë të ligjit kemi fituar. Kërkohet që të arrihet një rezultat duke shkelur ligjin, ndërkohë që ai mund të arrihet duke mos e shkelur ligjin. Kemi një palë që kërkon të shkelë plotësisht sistemin ligjor”, ka shtuar Marku.

Top Channel