Rama: Nuk tërhiqemi nga beteja

06/06/2010 19:50

Në vijim të turit “Hap kutitë, liro vizat, çliro ekonominë” kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ishte në qytetin e Korçës ku theksoi vendosmërinë e socialistëve dhe opozitës në tërësi për të mos u tërhequr nga beteja për transparencë të zgjedhjeve të 28 qershorit.

“Beteja vazhdon se ne jemi në këtë përpjekje me këmbënguljen e plotë, vendosmërinë e plotë, kurajon dhe vullnetin e plotë që të mos zbrapsemi asnjë milimetër, përkundraz ta çojmë këtë përpjekje përpara, ndërkohë që gjendemi në një stacion ku jemi ndalur me vetëdije për t’i dhënë një mundësi zgjidhjeje krizës”, tha Rama para të pranishmëve në Korçë.

Sipas Ramës transparenca e munguar ka shkaktuar kolapsin e plotë të vendit, mbi të gjitha tha ai krizën ekonomike që po ndjehet çdo ditë e më shumë në ekonomitë familjare të shqiptarëve.

“Janë sot më shumë se 100 mijë vende punë që kanë humbur, ndërkohë që nuk ka vende pune të reja dhe nuk ka gjasë të ketë. Për këtë mjafton të shikojmë shifrat e importit të makinerive për të kuptuar që në këtë vend nuk ka asnjë gjasë të ketë rritje të asnjë lloj prodhimi, kjo do të thotë që nuk ka asnjë gjasë që të ketë vende pune. Po i vuajmë pasojat tek çmimet e rritura ndërkohë që fuqia blerëse bie përditë”, vijoi më tej Rama.

Historia e zgjedhjeve të manipuluara tha zoti Rama duhet të marrë fund në Shqipëri, duke mbyllur një kapitull turpi, i cili ka prodhuar vetëm proçese të deformuara, i cili sipas kryesocialistit nëse nuk çmontohet do ta kthejë Shqipërinë në kohën e diktaturës.

“Do të shkojmë përpara në këtë betejë për të qënë gjithmonë të gatshëm për dialog dhe për kompromis, por asnjëherë për një dialog që harron dhe lë jashtë problemin kryesor dhe asnjëherë për një kompromis që i mbyll rrugën transparencës, por për një kompromis që i hap rrugën transparencës”, përfundoi Rama.

Top Channel