Britani, rregulla të reja për martesat

06/06/2010 17:40

Qeveria britanike e kryeministrit Devid Kameron ka nisur një sërë reformash në radikalizimin e sistemit  të emigracionit.

Të gjithë ata emigrantë të cilët duan të martohen me shtetas britanikë do t’i nënshtrohen një testi të gjuhës angleze përpara aprovimit të martesës dhe marrjes së vizës për bashkim familjar.

Ministri emigracionit, Damian Grin do ta prezantojë javën e ardhshme rregulloren e re e cila sipas tij synon uljen e numrit të martesave jo legjitime, njohur si martesat e rreme.

Bëhet fjalë për të gjithë ata shtetas jashtë Bashkimit Europian të cilëve përpara martesës duhet të provojnë se flasin të njëjtën gjuhë me personin që martohen dhe se duhet të kenë njohuri të gjuhës angleze.

“Ne jemi duke parë me qindra martesa ku të supozuarit çifte të lumtura nuk mund t’i thonë asnjë fjalë njëri-tjetrit pasi nuk flasin të njëjtën gjuhë”, ka deklaruar një nëpunës i Agjensisë Britanike të Kufirit.

Kjo rregullore e re ndikon negativisht për ata mijëra emigrantë shqiptarë që tashmë janë shtetas britanik dhe synojnë bashkimin familjar me partnerë apo partnere që jetojnë në Shqipëri apo Kosovë.

Sipas statistikave rezulton se një prej vizave më të kërkura  në Ambasadën Britanike në Tiranë është ajo për bashkim familjar.

Të dhënat e publikuara nga UK Border Agency tregojnë se vitin e shkuar totali aplikimeve për vizën e bashkimit familjar, ku përfshihen martesat e shtetasve shqiptarë që jetojnë në Angli me partnerë shqiptarë, ose atyre shqiptarë me partnerë  britanikë, apo nga vendet e BE-së  ishte 730, nga të cilat 335 u aprovuan ndërsa 380 u refuzuan.
 
 

Top Channel