Shqipëria, ringritje e vështirë

05/06/2010 15:05

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim deklaroi se Ballkani perëndimor do të vuajë gjatë pasojat e krizës ekonomike globale.

Claudio Viecoli, drejtori i BERZH për Ballkanin perëndimor deklaroi se do të jetë e pamundur që vendet e ish-Jugosllavisë së bashku me Shqipërinë të mund të rikthehen sërish në normat e rritjes ekonomike që patën përpara krizës.

“Nuk ka asnjë mundësi që këto vende të paktën për një periudhë kohore 3-4 vjet të mund të kenë norma rritje 6-7 përqind siç kanë patur në të shkuarën”, deklaroi Viecoli në një intervistë për agjencinë italiane të lajmeve “APCOM”.

“Rajoni nuk u prek nga kriza financiare. Por këtu kriza po godet fortë ekonominë reale, sepse bankat edhe pse kanë fonde nuk po japin më kredi për bizneset”, ka vijuar më tej Viecoli.

Sipas tij, tashmë rajoni do të përballet me një valë falimentimesh masive, ku bizneset më të dobëta do të eleminohen dhe tregu do të korrektohet.

“Për rrjedhojë – deklaroi kreu i BERXH për Ballkanin perëndimor – mundësitë e investimeve në këtë rajon për kompanitë e huaja do të jenë të kufizuara, në një klimë që tashmë është e vështirë”.

BERZH dy javë më parë, njoftoi se ka përkeqësuar parashikimet për ekonominë shqiptare për vitin 2010 duke e ulur rritjen ekonomike nga 2 në normën minimale 1.4 përqind.

Edhe për vitin 2011 pritet që rritja ekonomike të jetë sërish e ulët, në nivelin 3 përqind.

Top Channel