Brenda një muaji sëmundja e rrezikshme, shpesh vdekjeprurëse e etheve hemorragjike ka prekur të paktën 6 persona në Kukës.
Në pavijonin e infektivit në spitalin rajonal të Kukësit ndodhen tre persona për të cilët mjekët konfirmojnë paraprakisht ethet hemorragjike.
Dy nga tri rastet e fundit janë shfaqur këto ditë në fshatin Morin, ndërsa i treti nga një fshat i Hasit.
Të tre personat e sëmurë kanë një moshë mesatare rreth 40 deri në 50 vjeç dhe paraqesin simptoma të etheve prej disa ditësh.
Siç tregojnë specialistët e repartit të infektivit, simptomat që ata paraqesin janë marrje mendsh, dhimbje e muskujve, plogështi dhe humbje të fuqisë, gjakderdhje nga goja, nga veshët, si dhe temperaturë e lartë.
Mjekët thonë se shkaktarët e etheve hemorragjike janë viruset që barten nga brejtësit e ndryshëm si minjtë, si dhe insektet kryesisht rriqrat.
Viruset e bartura përhapen kur rriqra pickon njeriun direkt ose kur infeksioni te njeriu kalon nga kafshët që kanë marrë më herët infeksionin.
Pacientët e sëmurë me ethe hemorragjike po trajtohen me terapi intensive, ndërsa një kampion për analiza është dërguar në laboratorët e specializuar jashtë vendit nga ku pritet që brenda javës të kthehet përgjigjja.
Në repartin e infektivit, duke u nisur nga simptomat që paraprakisht janë klasifikuar si ethe hemorragjike, pacientët mbahen të izoluar ndërsa personeli shërben i mbrojtur me maska dhe masa të tjera mbrojtëse.
Top Channel