Farmacitë, të gjitha në “Big Brother”

04/06/2010 08:25

Farmacitë që aktualisht tregtojnë barna, do të jenë nën mbikëqyrjen e një sistemi të informatizuar.

Kështu blerjet, shitjet, apo të gjitha informacionet lidhur me konsumin e listës së barnave me rimbursim, ilaçeve të regjistruara apo jo do të kalojnë edhe nga “administratorët” e rrjetit.

Një projekt që do të nisë zbatimin nga zonat qendrore në ato më të thella, aty ku interneti ende nuk ka depërtuar me lehtësi.

Ministri i Teknologjisë së Informacionit dhe të Komunikimit, Genc Pollo, bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Institutin e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor e Qendrën e Kontrollit të Barnave kanë diskutuar në Komisionin e Shëndetësisë lidhur me projektin “Farmacitë Online”.

“Tashmë ne kemi databazën kryesore të shtetit, Regjistrin Kombëtar Civil dhe që ISKSH-ja të jetë e saktë në përcaktimin e shtetasit, me të dhënat e veta, gjeneralitetet dhe adresën, kjo në një hap të dytë, do të duhet të nxirret e të krijojë ndërfaqet e veta”, sqaroi Pollo.

Sipas tij, ky është një veprim konkret që ka nevojë për koordinim dhe ministria ndërhyn për të bërë lidhjen. Ky është një rast që haset me të gjitha institucionet që japin shërbime të tilla.

Top Channel