Vizat, dyshime për kushtet

03/06/2010 19:50

27 ministrat e Brendshëm europianë kanë diskutuar në mesditë mbi cështjen e liberalizimit të vizave me Shqipërinë dhe Bosnjen.

“Mbi propozimin për kushtëzimin e vendimit për liberalizimin e vizave me Shqipërinë e Bosnjen që prezantova, patëm diskutime mjaft të mira dhe natyrisht që Këshilli do t’i kthehet kësaj cështjeje sapo ne t’i kemi dërguar grupet përfundimtare të ekspertëve e ta kemi përpiluar vlerësimin tonë pas verës”, ka deklaruar Cecilia Malmstrom, komisionere për Cështjet e Brendshme.

Ndërsa Alfredo Perez Rubalcaba, minister i Brendshëm i Spanjës, është shprehur: “Këtë mëngjes nuk dëgjova ndonjë rezervë politike, të gjithë ishin pro liberalizimit, megjithëse disa vende anëtare u shprehën se shpresonin që këto dy shtete kishin kohë mjaftueshëm për të përmbushur kushtet. Komisionerja na raportoi për situatën. Presidenca e Komisioni ndan të njëjtin mendim se Shqipëria e Bosnja kanë bërë përpjekje e kanë ende një copë rrugë për të bërë. Por ne shpresojmë se ata do t’i përmbushin të gjitha kushtet nga vjeshta, në mënyrë që të konkludohet kënaqshëm me liberalizimin e vizave në momentin e duhur”.

Ministrat e Brendshëm europianë duket se nuk kanë rënë dakort me propozimin e Sllovenisë, që vendimi për heqjen e vizave të kalojë në shtator në Këshillin e parë Europian që eshte ai i ministrave të Bujqësise si Pike A, që do të thotë pa diskutime të mëtejshme nga Këshilli i Ministrave të Brendshëm europianë.

“Të gjithë janë për liberalizimin e vizave, por disa vende anëtare janë më mosbesuese sepse dyshojnë që këto dy vende kanë kohë të mjaftueshme për t’i përmbushur objektivat që u kemi vënë në afatin e përcaktuar. Ne u kemi kërkuar atyre që të bëjnë përpjekje të mëdha për përmbushjen e kritereve në vjeshtë, e Komisioni dhe ne, këtë cështje do ta vëzhgojmë nga afër”, ka shtuar ministri Rubalcaba.

Një prej vendeve kryesore skeptike për liberalizimin e shpejtë të vizave më Shqipërinë e Bosnjen është Belgjika, vendi që përcakton axhenden e BE pas dates 1 korrik sepse merr presidencën e radhës për 6-mujorin e dytë të këtij viti.

Top Channel