Tiranë, spitali pa ashensor

03/06/2010 16:45

Përvec sëmundjes që i mundon, pacientët e pavionit të neurologjisë duhet të zgjidhin edhe problemin e transportit, pasi ashensori prej mëse 6 muajsh nuk funksionon.

Për t’u ngjitur në katet e mësipërme duhet që të afërmit t’i transportojnë në krahë barrelat, ose të paguajnë të tjerë njerëz që bëjnë transportuesin e pacientëve.

Por kjo nevojitet më shumë se 3 herë në ditë, pasi mjekët kërkojnë që pacienti t’i nënshtrohet analizave të ndryshme, për të cilat duhet të lëvizësh nga kati i parë në të katërtin.

“Ashensori nuk punon. Sa herë që do bëjmë analiza lëvizim me barrelë, të cilën e mbajnë në krahë të afërmit”, tregon një pacient i spitalit.

Në ambienet e spitalit nuk lejohet që kamera të xhirojë stërmundimin e këtyre pacientëve, ndonëse mungesa e ashensorit ka shqetësuar edhe stafin mjekësor, pasi të afërmit mund t’u shkaktojnë tronditje pacientëve gjatë ngjitjes nëpër shkallë.

Ndërkohë, në drejtorinë e QSUT sqarojnë se nevojitet të paktën edhe një muaj e gjysmë për vënien në funksion të ashensorit.

“Arsyeja e prishjes së ashensorit është rrufeja, është djegur totalisht paneli. Riparimi do bëhet shumë shpejt, po bëhen procedurat e tenderimit dhe pas 1 muaj e gjysmë do të jetë gati”, deklaron Altin Dushku nga Drejtoria e Shërbimeve Mbështetëse në QSUT.

Ashensori në këtë spital është po aq i nevojshëm sa edhe mjeku. Të operuarit nuk mund të lëvizin, por edhe të shtruarit janë kryesisht me probleme të kolonës vertebrale dhe nuk mund të ngjisin shkallët.

Top Channel